Kontrollet më të shpeshta dhe më të gjithanshme të kantiereve të ndërtimeve në Kosovë, duket të jenë efektive në evitimin e shkeljeve eklatante të kushteve të sigurisë në punë.
Buletini Ekonomik
Më në fund, lajme inkurajimi vijnë nga autoritete të Kosovës dhe të Shqipërisë pas inspektimeve që u është bërë disa punishteve në katër qendra komunale të Kosovës (në Pejë, Deçan, Istog e Klinë) dhe disa kantiereve të ndërtimit nga Inspektoriati i Punës së Shqipërisë, pas konstatimit për shkelje të rënda të kushteve të sigurisë në punë.
Në katër qytetet e sipërpërmendura në Kosovë, janë mbyllur shtatë vendpunime në fund të javës së kaluar (të premten) gjatë aksionit të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Pejë, Policia dhe Inspektorati i Punës, për inspektim në 20 lokacione ndërtimi nën dyshimet për rrezikim të sigurisë në vendin e punës, ndërsa janë shoqëruar në polici persona përgjegjës të kompanive kontraktuese. Me këtë rast, është konstatuar se në katet më të larta të objekteve ndërtimore e nën temperatura deri në 28 gradë Celsius, punëtorë të disa kompanive ndërtimore kanë punuar të premten pa helmeta, pa rripa sigurie dhe pa asnjë pajisje tjetër mbrojtëse. Ndërsa zyrtarët kompetentë kanë thënë se gjatë inspektimeve në terren janë evidentuar parregullësi të shumta dhe mungesë e masave të sigurisë për punëtorët.
Zyrtarë të divizionit të inspektimit në rajonin e Pejës, kanë konkretizuar për medie se “në dy vendpunishte janë ndaluar punimet deri në ndërmarrjen e masave”. Sipas tyre, në momentin që has në shkelje, në momentin që has në rrezikim të jetës së punëtorëve për shkak të mos ndërmarrjes së masave në këtë rast vendosjen e skeleve, mospajisjen me mjete personale mbrojtëse përfshirë helmetën, këpucët etj, ose nëse shkallët kur nuk janë të rrethuara, liftat nuk janë të mbyllur, në këto raste inspektorati e ka për detyrë dhe kompetencë për të ndaluar punët, gjë që e kanë bërë po për shkak të konstatimit për shkelje të rënda të kushteve të sigurisë në punë.
Edhe Inspektoriati i Punës në Shqipëri, këto ditë ka pezulluar punimet në 23 kantiere ndërtimi. Lajmin e ka bërë të ditur me një postim në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Duke u bërë apel të gjithëve që të denoncojnë rastet e shkeljes së sigurisë në punë, ministri ka shkruar në rrjete sociale se “Çdo subjekt që nuk respekton rregullat teknike dhe nuk zbaton ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, do të përballet me sanksione të menjëhershme dhe çdo masë tjetër ligjore, pa asnjë tolerancë.
Inspektorati Shtetëror i Punës të Shqipërisë, sipas medieve shqiptare, ka zhvilluar kontrolle intensive gjatë javës që lamë pas në sektorin e ndërtimit. Në 23 subjekte janë konstatuar shkelje të rënda të kushteve të sigurisë, dhe për pasojë është marrë masa e pezullimit të menjëhershëm të punës, deri në plotësimin e plotë të kushteve të detyrueshme ligjore për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve. Megjithatë, pasojat e shkeljeve të rënda të kushteve të sigurisë në punë, si në Kosovë – si në Shqipëri, janë trishtuese dhe tronditëse. Katër persona kanë vdekur brenda dy ditëve në Kosovë në muajin korrik 2025 si pasojë e lëndimeve që kanë pësuar në vendet e tyre të punës. Ndërsa, 7 vdekje kanë ndodhur sivjet në vendin e punës, sipas Inspektoratit Qendror të Punës. Kjo shifër është përmendur nga zyrtarët pasi kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, kishte thënë se sivjet në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 persona.
Sipas Avokatit të Popullit, nga viti 2004 deri në vitin 2021 janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve. Dhe, lajmet e dhimbshme për lëndimet dhe vdekjet në vendet e punës vazhdojnë të ndodhin në Kosovë, madje numrat e shtuar të viktimave sivjet janë bërë alarmante, ndërsa ndërtimtaria del të jetë sektori që ka shkaktuar më shumë vdekje të punëtorëve në vendin e punës. Sivjet, në bazë të të dhënave konkrete, lëndimet në punë, por edhe humbja e jetës gjatë angazhimit ditor në procesin e punës nuk është pakësuar fare.
“Shkaqet e vdekjeve janë pothuajse të njëjta: mosndjesia e kompanisë për rreziqet e punës që iu kanosen shumicës së punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, dhe si rrjedhojë mosndërmarrja e masave për të evituar aq sa është e mundur këto rreziqe, që nënkupton mosdisiplinimi i kompanive nga ana e institucioneve shtetërore, në radhë të parë nga inspektorati i punës, të cilët në terren, siç shihet nuk bëjnë asgjë”, kanë thënë për medie zyrtarë të Sindikatës së Pavarur të punëtorëve.
“Shkaqet që shkaktojnë aksidentet fatale, janë kryesisht mosrespektimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë nga kompanitë dhe ndërmarrjet e shumta. Skelet, në shumë raste, nuk vendosen sipas standardeve, nuk mbyllen dhe nuk bllokohen hapësirat me rrezikshmëri të lartë siç është hapësira para ashensorëve në ndërtim, hapësira para shkallëve dhe të tjera, si dhe mospaisja e punëtorëve me pajisje mbrojtëse”, kanë shpjeguar në Inspektoratin e Punës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e sindikatave, por edhe njohës të çështjeve të sigurisë së punëtorëve në vendet e tyre të punës, theksojnë se aksidentet, thuaja se shumica absolute e tyre, sikundër edhe rastet me fatalitet për jetën e punëtorëve janë kryekëputë pasojë e kushteve jo të mira në vendet e punës dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë. Prandaj, sipas njohësve të këtyre zhvillimeve dhe të përfaqësuesve të sindikatave, në këto rrethana janë të nevojshme më shumë kontrolle në vende të punës, ndërsa lajmet e fundit për mbylljen e shtatë vendpunimeve në katër qytetet e Kosovës (Pejë, Deçan, Istog dhe Klinë), në fund të javës së kaluar gjatë aksionit të ndërmarrë dhe pezullimi i punimeve në 23 kantiere të ndërtimit në Shqipëri, pas konstatimit për shkelje të rënda të kushteve të sigurisë në punë, vetëm sa i bëjnë më bindëse kërkesat për më shumë kontrolle të zyrtarëve në vendet e punës, sidomos në kantieret e ndërtimit. Kontrollet më të shpeshta dhe më të gjithanshme duket të jenë efektive në evitimin e shkeljeve eklatante të kushteve të sigurisë në punë.
Edhe në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) kanë vlerësuar nevojën e domosdoshme për të pasur më shumë inspektime, të ketë gjoba më të larta për ato kompani ose biznese, të cilat nuk u ofrojnë kushtet e domosdoshme dhe kushtet e nevojshme punëtorëve.
Në anën tjetër, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” kohë më parë, me anë të një reagimi publik kishte kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të përfshijë direktivat e Bashkimit Evropian në Ligjin e ri të Punës. Sipas Institutit, mospërfshirja e këtyre direktivave në Ligj dëmton të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
Ndryshe, siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: me Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës. Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës dhe vdekjeve në punë, sipas këtyre ligjeve, janë nga 100 deri në 35.000 euro. /Buletini Ekonomik/











