Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka dorëzuar në Gjykatën Supreme padi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), i cili rregullon procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Në njoftimin e saj, CSL thekson se Gjykatës i është kërkuar shfuqizimi i paragrafëve 2, 3 dhe 4 të nenit 5 të Udhëzimit, duke argumentuar se këto dispozita kanë cenuar dhe vazhdojnë të cenojnë potencialisht të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve në Kosovë.
“Ky cenim i të drejtave lidhet me ndërprerjen e pagesës për pensionistët që nuk janë lajmëruar me kohë në Zyrat Rajonale të Pensioneve, duke ua mohuar edhe të drejtën për kompensim retroaktiv për periudhën në të cilën nuk është kryer procedura e lajmërimit”, thuhet në njoftim.
CSL argumenton se kufizimet e vendosura me akt nënligjor tejkalojnë ligjin dhe cenojnë të drejtat dhe interesat e ligjshme të pensionistëve, pasi nuk janë parashikuar nga Ligji Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Përveç paragrafëve të përmendur, padia konteston ligjshmërinë edhe të 10 dispozitave të tjera të Udhëzimit Administrativ të vitit 2015, duke vlerësuar se ato tejkalojnë autorizimet ligjore të ministrisë.
Sipas Udhëzimit Administrativ, pensionistët janë të detyruar të lajmërohen çdo gjashtë muaj në departamentin e pensioneve. Nëse nuk lajmërohen brenda kësaj periudhe, pagesa e tyre suspendohet përkohësisht dhe ata kanë afat tre muaj shtesë për të përfunduar procesin e lajmërimit dhe për të marrë mjetet e bllokuara.
Në rast se pensionisti nuk lajmërohet brenda këtyre tre muajve, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim dhe pagesa rifillon vetëm nga data e riaplikimit.
Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit, janë mbi 300 mijë pensionistë, ku pensioni kontributpagues është 318 euro, varësisht nga niveli i arsimimit, ndërsa pensioni bazik i moshës është 120 euro.









