Saktësisht me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë nëntorit të sivjetshëm janë Rumania me 8.6 për qind, Kosova me 5.3 për qind, Estonia me 4.5 për qind dhe Kroacia me 4.3 për qind. Ndërkohë, qytetarët e Kosovës janë të pambrojtur nga autoritetet kompetente nga ngritja brutale e çmimeve të shumë produkteve, e posaçrisht të atyre elementare ushqimore.
Mehmet GJATA
Të dhënat shqetësuese për ngritjen e çmimeve në muajin nëntor të vitit 2025 në Kosovë, i ka bërë publike dhe i ka shprehur këto ditë edhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit i Shqipërisë, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’. Sipas këtyre të dhënave, Kosova rangohet në vendin e dytë në Europë në muajin nëntor të këtij viti me normën e lartë të çmimeve. Saktësisht me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë nëntor të sivjetshëm janë Rumania me 8.6 për qind, Kosova me 5.3 për qind, Estonia me 4.5 për qind dhe Kroacia me 4.3 për qind.
Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë përllogaritet në 2.4% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar poshtë këtij kufiri për muajin nëntor, që do të thotë se aktualisht çmimet në Shqipëri janë më të ulta se mesatarja europiane. Shqipëria, sa i përket rritjes së çmimeve sipas vendeve të rajonit, pozicionohet shumë më mirë se Kosova, por edhe më mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku për muajin nëntor regjistrojnë një normë të rritjes së çmimeve prej 3.6% dhe 3.1%.
Në një farë mënyre, rangimi i Kosovës për ngritjen e çmimeve kaq lartë, sipas njohësve të ecurive të çmimeve, ka qenë e pritshme, për shkak se në këtë vit në vendin tonë ka pasur ngritje të shpeshta të çmimeve të shumë produkteve dhe të shërbimeve, veçmas të produkteve elementare ushqimore.
Shqetësime për ngritjen e çmimeve, sidomos të produkteve ushqimore bazë, tash sa javë e muaj kanë shprehur qytetarët e Kosovës, sipas të cilëve brenda vetëm pak javësh në disa artikuj kanë vërejtur rritje çmimesh deri në mbi 40 për qind. Një komplet prej 30 kokërra vezësh ka javë që në Kosovë tregtohet me çmim përtej 5 e 6 eurosh (para pak muajsh i njejti produkt ka pasur çmimin 2,5 e shumë 3 euro), një kilogram i mishit të viçit, po kështu, nga 10 euro ka javë që e ka çmimin e ngritur në 14-16 euro etj.
Rritje të theksueshme të çmimeve në raport me vitin e kaluar, në periudhën e fundit kanë pasur edhe pemët e perimet, dhe disa produkte të shportës, siç janë vajrat ushqimore.
Në Kosovë, çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre elementare ushqimore (të produkteve me origjinë nga qumështi, çmimet e pemëve dhe perimeve, por dhe disa sosh të higjienës), kanë arritur nivelin ndjeshëm më të lartë se në Greqi, Gjermani, Francë, apo Itali. Dhe këto çmime, nuk është se po ndalen apo se po ulen siç ndodhë në shumë vende të botës me çmimet e prodhimeve sezonale, përkundrazi, çmimet në Kosovë, nuk ka javë e muaj, që nuk ngriten.
Tani, sektori i çmimeve në vend është bërë thuaja me përmasa të gjendjes kaotike dhe goxha destabilizuese të mirëqenies dhe gjendjes sociale të kosovarëve shumicë të varfër. Thënë shkurt, çmimet stratosferike të të gjitha produkteve, veçmas të atyre ushqimore elementare, në Kosovë reflektohen tejdukshëm, sidomos në ç’ekulibrimin e gjendjes sociale të një numri të madh qytetarësh, në mirëqenien e tyre, në futjen borxh të shumë familjeve të banka komerciale me kredi të mbijetesës dhe në varfërimin gjithnjë e më evident të kosovarëve. Ndërsa, çmimet e larta të barnave, të shërbimeve dhe produkteve të tjera medicinale, reflektojnë drejtpërdrejt në mbijetesën e mijëra të moshuarve kosovarë. Sidomos shumica e pensionistëve të Kosovës e kanë të vështirë të sigurojnë ilaqet e domosdoshme, rreth 150 mijë që kanë pensione të pleqërisë prej 150 eurove. Prandaj, çmimet enorme të larta dhe jashtë çdo logjike të tregut janë bërë destabilizuese dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në luhatjen e gjendjes sociale të Kosovës, edhe ashtu, ndër vendet më të varfëra në rajon dhe përtej.
Mirëpo, qytetarët e Kosovës, shtresat e varfëra dhe ato të mesme, që janë më të goditurat nga ngritja e egër e çmimeve deri në nëntor për shkak të rrethanave politike për një kohë të gjatë (ngërçit politik si pasojë e moskonstituimit të institucioneve më të rëndësishme të vendit) dhe mungesës së funksionimit të autoriteteve kompetente për mbrojtjen e konsumatorëve, praktikisht nuk kanë kujt t’i drejtohen për mbrojtje nga ngritja në qiell e çmimeve. Thjeshtë, qytetari i rëndomt kosovar, është i pambrojtur nga autoritetet kompetente sa i përket ngritjes brutale të çmimeve të shumë produkteve, e posaçrisht të atyre elementare ushqimore.
Autoriteti i Konkurrencës, që është kompetent për mbikëqyrjen e tregut, në adresë të të cilit institucion kanë arritur jo pak ankesa të qytetarëve për manipulimet brutale të tregtarëve me çmime, që nga fillimi i vitit nuk e ka marrë asnjë vendim ndëshkues kundrejt keqpërdoruesve, për shkak se Komisioni i Autoritetit, i cili është i autorizuar për të marrë vendime dhe sanksione kundër tregtarëve manipulues është i pakompletuar.
Komisioni i Autoritetit, i duhet të ketë pesë anëtarë, porse gjatë tërë këtij viti dhe ende i ka vetëm tre. Prandaj del të jetë thuaja pa asnjë efekt monitorimi i çmimeve të shumë produkteve elementare ushqimore nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas pohimeve të zyrtarëve të këtij institucioni aktualisht po monitorohen çmimet e 21 produkteve bazë të shportës së konsumatorit dhe se bazuar në këtë del se ka tregues që rrjetet e supermarketeve mund të kenë manipuluar me çmime.
Dhe në mungesë të Kuvendit, Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mbetet jofunksional, me muaj nuk mund të merr vendime, as sanksione kundër shkelësve të ligjit në sektorin e çmimeve, as ndaj atyre për të cilët është konstatuar se kanë ngritur jashtëligjshëm dhe në kordinim me njëri tjetrin çmimin e produktit të tyre, siç është rasti me furrëtarët në disa qendra komunale të republikës. Siç dihet, Autoriteti i Konkurrencës pas kontrollit të disa furrave në Gjakovë dhe në Prishtinë, në fillim të muajit maj të sivjetshëm, kishte konstatuar se ka ndodhur bashkërendim i çmimeve mes furrëtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore një koordinim i tillë në treg. Dhe, pikërisht në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës bëri publik konstatimin se “pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë kanë ardhur në përfundim se shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim”, shumë furra në kryeqytet ngritën çmimin e bukës, asaj standardes, të rëndomtës, që është ndër më të konsumuarat nga kosovarët, nga 50 centë në 60 centë. Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të mungesës së anëtarëve të Komisionit nuk pati asnjë mundësi të sanksionojë furrëtarët e papërgjegjshëm, me gjithë premtimet që kishte bërë në publik, por edhe megjithë konstatimet evidente për bashkërendim të çmimeve të disa furrëtarëve në vend. Edhe të tjera institucione, që do të duhej të jenë më aktive në hetimin e ngritjes abuzive të çmimeve, për shkak të ngërçit politik të shkaktuar nga mungesa e institucioneve më të rëndësishme të qeverisjes së vendit, tash e sa muaj janë jofunksionale, ose pjesërisht e përmbushin misionin e tyre në parandalimin e keqpërdorimit të tregtarëve me çmimet. Me fjalë të tjera, në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në njëfarë mënyre vazhdojnë të mbeten në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. /Buletini Ekonomik/









