Në këto vite nuk u ndalën asnjëherë kërkesat e KESCO-s për ngritje çmimi të energjisë elektrike. Në pesë vitet e fundit, tri herë është shtrenjtuar energjia elektrike në Kosovë. Kërkesa e re e KESCO-s për rritje çmimi, është me skenar pothuaj identik me kërkesat e mëhershme, po kështu me paraprirje shantazhuese, krijim hileçar të krizës së shpërfaqur energjetike…
Mehmet GJATA
Që nga momenti kur para disa vitesh KESCO, kompania turke për furnizimin e konsumatorëve të Kosovës me energji elektrike, bëri kërkesën e parë me ngulm, me primesa shantazhuese të tejdukshme për shtrenjtimin e çmimit të rrymës, Buletini Ekonomik kishte shkruar se nuk do të ndalen tani e tutje kërkesat e KESCO-s për ngritje çmimi të energjisë elektrike. Dhe, në këto vite nuk u ndalën asnjëherë kërkesat e vazhdueshme të KESCO-s për ngritje çmimi të rrymës.
Në pesë vitet e fundit, tri herë është shtrenjtuar energjia elektrike në Kosovë. Këto ditë u bë publike kërkesa e re e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë elektrike, me skenar pothuaj identik me kërkesat e mëhershme, po kështu me paraprirje shantazhuese, krijim hileçar të krizës energjetike të shpërfaqur me devijime nga KESCO në rrjetin interkonektiv evropian deri në 260 MWh, duke rrezikuar sistemin elektroenergjetik të vendit, me trajtimin manipulativ të borxhit të keq në kuadër të procesit tarifor, dhe me pranimin lehtësisht të një skeme të tregtarëve të energjisë, të cilët manipuluan tregun përmes linjave të transmisionit, duke ngritur kostot për bartje të energjisë deri në 800 euro për megavatë orë.
Megjithëkëtë, KESCO, sërish këtyre ditëve po kërkon ngritje çmimi të rrymës. Më saktësisht, kompania turke për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026 me 21.3 për qind. Sipas aplikimit zyrtar, kërkesa reflekton rritjen e ndjeshme të kostove të furnizimit me energji elektrike, veçanërisht si pasojë e varësisë më të madhe nga importi, rritjes së konsumit dhe kostove të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe bartjes së diferencave financiare nga viti 2025.
Në anën tjetër, ZRRE-ja, një institucion i pavarur në Kosovë, që detyrë primare ka mbrojtjen e interesave të konsumatorëve të vendit, si gjithnjë nuk deklarohet preras kundër kërkesës më të re të KESCO-s për ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Edhe ksaj rradhe, ZRRE thotë se “do të aprovohen vetëm kostot e arsyeshme”. Por duhet rikujtuar miratimet e deritashme të ZRRE-së (të bëra lehtësisht) të kërkesave të KESCO për çmime të reja, shtojnë frikën ndër qytetarët se edhe kësaj rradhe ZRRE do të jetë “dorëshlirë” dhe miratuese ndaj kërkesës brutale të këtyre ditëve të KESCO për ta ngritur çmimin e energjisë elektrike në 2026-tën për 21,3 për qind.
Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, por edhe i papërballueshëm fare. Edhe analizat jo të pakta të ekspertëve, por edhe të vrojtuesve të shquar për shqyrtime detajiste si dhe sipas vlerësimeve të njohësve të zhvillimeve energjetike, në Kosovë, pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 3-4 vjetësh (së pari më 2021 shumë mbi 100 për qind dhe 2 herë më 2022 – në shkurt rreth 30 për qind dhe në prill diku te 15 përqindshi), dhe më 2025-tën ngritja afër 17 për qind, nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne. Së pari, për shkak se çmimit e energjisë elektrike në botë, pas ngritjes së vrullshme të madhe, që ndodhi pas pandemisë COVID19 dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në nivel global, në 2023, 2024 e 2025-tën, ka pasur ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, madje në periudha të ndryshme të vitit, çmimet e rrymës elektrike ishin edhe 5-6 herë më të ulëta, se sa kur arritën kulmin, në kohën e krizës globale energjetike.
Edhe në bursat ku Kosova ka blerë më shumë rrymë, një megavat-orë edhe ditëve të acarta, në të shumtën nuk ka tejkaluar çmimin 100 euro. Tjetër gjë janë skemat e tregtarëve të energjisë, të cilët manipuluan tregun përmes linjave të transmisionit, duke ngritur kostot për bartje të energjisë deri në 800 euro për megavatë orë dhe të cilat i miratoi në raste lehtësisht KESCO, pa asnjë sqarim domethënës të deritashëm.
Së dyti, pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit e fshehtë, e padeklaruar dhe perfide nga ana e ZRRE-së. Me bllok tarifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim është enorm i lartë dhe thuaja në statosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre.
Së treti, një arsye që fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, Kosova sot e kësaj dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me koston shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paaftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës. Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përqark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit.
Të gjitha studimet e bëra deri më tash kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon. Së katërti, fakti i rëndësishëm që flet kundër ngritjes së çmimit të rrymës është marrëveshja me të cilën KEK-u obligohet t’ia shesë KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29,6 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë këtë rrymë, të cilën e blenë me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët.
Lazër Krasniqi, ish-drejtor i ish-Distribucionit të Elektrokosovës së athërshme në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik ka sqaruar se “nëse KEK-u nuk ka kërkesë për rritjen e çmimit si prodhues, të tjerët nuk kanë të drejtë për rritjen. Rritja e çmimit të energjisë elektrike me sistem tarifor 15-30%, nëse nuk ka kërkesë nga KEK-u, është proces korruptiv nga pjesëmarrësit e kërkuesit, importuesit dhe lejuesit e rritjes së çmimit të energjisë elektrike”.
Sipas tij, sistemi tarifor i energjisë elektrike rregullon marrëdhëniet ndërmjet prodhuesit, bartësit, shpërndarësit me konsumatorët.
“Tani, kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike nga KEDS/KESCO e jo paraprakisht nga KEK-u si prodhues i energjisë elektrike dhe lejimi eventual nga ZRRE-ja, është kriminalitet në funksion të korrupsionit në import të energjisë elektrike”, ka thënë Krasniqi.
Rreth kërkesës së KESCO-s për ngritje çmimi për energjinë elektrike është shprehur kundër edhe Partia Demokratike e Kosovës. Nga ky subjekt politik është thënë se rritja e çmimit të energjisë, e thellon krizën sociale dhe ekonomike në vend, pasi që, qytetarët tashmë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë.
“Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre.’’, thuhet mes tjerash nga PDK.
Për këto arsye, PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës.
Ndërkohë, Hykmete Bajrami e LDK-së, një zë i njohur opozitar dhe kundërshtues ndaj shumë zhvillimeve politike dhe shoqërore në vend, duke reaguar pas kërkesës së fundit nga KESCO për rritje të çmimit të energjisë elektrike ka thënë se “kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK.”
Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”.
Sipas saj, një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ.
Njësoj ka reaguar edhe ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj. Ai ka thënë se energjia është nevojë bazike dhe çdo shtrenjtim ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Sipas tij, një rritje kaq e lartë do të kishte efekt zinxhir në shpenzimet familjare.
“Energjia elektrike është nevojë bazike dhe çdo rritje ka efekt zinxhir në shpenzimet familjare dhe në çmimet e produkteve e shërbimeve. Një rritje kaq e lartë vështirë se mund të justifikohet pa u shteruar më parë të gjitha mundësitë për rritje të efikasitetit, ulje të humbjeve, menaxhim më të mirë të kostove dhe mbështetje nga institucionet shtetërore”, është shprehur Mulaj.
E deri në momentin e publikimit të këtij teksti, rreth kërkesës së KESCO-s për ngritjen brutale të çmimit të energjisë elektrike nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet. /Buletini Ekonomik









