Çmimet globale të naftës janë ngritur pasi janë sulmuar tre anije afër Ngushticës së Hormuzit, derisa Irani po vazhdon të sulmojë me raketa në mbarë Lindjen e Mesme si kundërpërgjigje ndaj sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka raportuar të hënën (02.03.2026) BBC.
Dy anije janë sulmuar, dhe “një projektil i panjohur” është raportuar të ketë “shpërthyer në afërsi shumë të madhe” te një anije e tretë, ka bërë të ditur Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar.
Irani ka paralajmëruar anijet që të mos përshkojnë ngushticën, ku kryhet bartja e 20 % të naftës dhe gazit të botës.
Lundrimi ndërkombëtar është vendosur në një gjendje paqartësie në hyrje të ngushticës, me analistët që kanë paralajmëruar se zgjatja e konfliktit do të mund t’i ngrinte edhe më shumë çmimet e naftës.
Në mëngjesin e hershëm të së hënës në tregjet aziatike, çmimet e naftës kanë shënuar ngritje prej 10 %, por që me kalimin e orëve kanë nisur të stabilizohen.
Pak para orës shtatë të mëngjesit, nafta e papërpunuar Brent ishte për tetë për qind më shtrenjtë për barelë, derisa nafta e tregtuar në Shtetet e Bashkuara ka shënuar ngritje prej 7.6 %.
“Tregu nuk po bën panik”, ka deklaruar Saul Kavonic, drejtues i organizatës për kërkime energjie MST Marquee. “Ka më shumë qartësi se deri tani, transporti i naftës dhe infrastruktura e prodhimit nuk kanë qenë caqe parësore nga asnjëra palë”.
Ai ka thënë se tregu do të shikojë nga afër shenjat e lëvizjeve përgjatë Ngushticës së Hormuzit. Por analistët kanë thënë se çmimi për barelë mund të shkojë deri në 100 dollarë amerikanë në rast të një konflikti më të gjatë.











