Tendenca të ngutshme për të ngritur çmimet e materialeve ndërtimore në Kosovë

Pos ngritjes së theksueshme të çmimeve të disa produkteve të shportës, të produkteve elementare ushqimore si pasojë e ngritjes së çmimit të karburanteve, hovi i shtrenjtimit dhe paralajmërime të ngutshme për çmime të reja të ngritura kanë mbërritur pa vonuar edhe nga sektori i ndërtimtarisë.

Mehmet GJATA

Ka ditë që edhe në Kosovë janë shpërfaqur, madje ndjeshëm, pasojat e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare si rrjedhojë e luftëst në Lindjen e Mesme. Pas ngritjes së vrullshme të çmimeve të karburanteve, pa vonuar, shumë produkte dhe shërbime në vendin tonë kanë nis të tregtohen me çmime të ngritura, ose nuk prajnë paralajmërimet për ngritje zingjirë të çmimeve në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës. Pos ngritjes së theksueshme të çmimeve të disa produkteve të shportës, të produkteve elementare ushqimore, hovi i shtrenjtimit dhe paralajmërime të ngutshme për çmime të reja të ngritura kanë mbërritur pa vonuar edhe në sektorin e ndërtimtarisë.

Ndër agjencionet e shtitblerjes së paluajtshmërive, por edhe zyrtarë të Shoqatës Ndërtimtarëve të Kosovës, duke përmendur çmimet e ngritura ndjeshëm të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, paralamërojnë ngritje çmimesh të hekurit (armëbetonit), një nga produktet më me ndikim në ecuritë e kostos në sektorin e ndërtimit. Sipas tyre, tashme është paralajmëruar nga shumë prodhues ngritje e çmimit të hekurit deri në 40 për qind. Çmimi i hekurit brenda 15 ditëve të fundit edhe në Kosovë ka një tendencë rritjeje rreth 4-5 për qind brenda një jave.

Mirëpo, pronarë të kompanive ndërtuese, në kushte të anonimitetit i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ka nis ngritja e çmimeve edhe të materialeve të tjera të domosdoshme për ndërtim, siç janë produktet nga duraluminet, nga plastika por edhe të çimentos dhe domosdo edhe të betonit.

Ndërkohë, që është e ditur se kostoja e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit në Kosovë është ngritur në përmasa me ndikim të madh në çmimin final të ndërtimeve (të banesave, të ambienteve afariste në kuadër të ndërtesave me banesa), qëkurë është bërë liberalizimi i vizave edhe për Kosovën. Që në ditët e para të lëvizjes së lirë edhe të kosovarëve në botë, lëvizjen më të madhe e kanë shënuar punëtorët e angazhuar në sektorin e ndërtimeve në vend, për shkak të pagave shumë të ulëta dhe kushteve të vështira dhe të rrezikshme të punës.

Në këtë mënyrë, me mijëra punëtorë – ndërtimtarë (mjeshtër, por edhe pinëtorë krahu ia mësynë shteteve të Perëndimit, duke ashpërsuar absolutisht shumë ofertën për punëtorë në ndërtimtari. Dhe, në këtë mënyrë punëdhënësit ndërtimtarë domosdo u kushtëzuan për të ofruar paga shumë më favorshme për të siguruar numër të nevojshem punëtorësh.

Sot, sipas një ndërtimtari prishtinas, në kërkesën e zakonshme për beton të fabrika partnere e betonit, paralajmëruan çmime të reja të betonit. Çmimi i deritashëm i një metri kub të betonit prej 70 euro paralajmërohet të shkojë në 100 euro. Dhe, kjo ngritje, sipas tij, nuk është një ngritje sa për të qenë, ose e pa ndikim në koston e gjithmbarshme të ndërtimit final. Bëhet fjalë për çmim të ngritur afërsisht 50 për qind. Këto çmime të ngritura dhe të paralajmëruara që të ngriten akoma më shumë janë, që tani një presion evident mbi koston e prodhimit final të ndërtimtarëve. Por, gjithsesi, do të lëkund edhe më shumë trendet dhe balancat e tregut të shitëblerjes së patundshmërive, duke sinjalizuar një rritje të re të pashmangshme të çmimeve për metër katror të ndërtimeve.

Ndërkohë, dihet se çmimet mesatare të metrit katror të një banesë në Prishtinë, kanë shkuar ‘në qiell’, po të kihet parasysh fuqia blerëse e shtresave dominuese të popullatës së Kosovës. Çmimi i një banese në Prishtinë, por edhe në disa qendra të tjera të Kosovës, praktikisht është bërë i pa arritshëm për shtresat e varfëra dhe për ate të mesme. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare të kryeqytetit, çmimet në periferi të kryeqytetit të Kosovës janë përafërsisht rreth 1,400 euro për metër katror, teksa në afërsi të qendrës në mbi 2 mijë e 5-6 qind euro. Sot, një metër katror në lagjen Mati-1 një nga zonat më të kërkuara të Prishtinëes edhe për shkak të çmimeve të banesave, metri katror kushton 1,100 -1,400 euro. Në shumicën e projekteve ndërtimore( sidomos të ndërtesave me banesa) çmimet kanë lëvizur rreth 1300–1600 euro për një metër katror, ndërsa në zonat më të kërkuara (siç është Lagja e Muhaxherëve, por edhe disa zona në Arbëri lëvizja e çmimeve ka shkuar nga 1800 deri në 2300 euro për metër katror.

Në periudhën e fundit të vitit 2025: në shumicën e projekteve çmimet lëvizin rreth 1400–1700 €/m², ndërsa në zonat më të kërkuara shpesh kalojnë 2000–2500 €/m². Se ku do të arrijnë çmimet e një metri katror të ndërtimeve të reja pas valës më të fundit të ngritjes së çmimeve të materialeve kryesore të ndërtimit, tani për tani nuk ka përgjigje as nga ndërtimtarët, as nga vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në vend. Por, të gjithë e theksojnë faktin se të gjitha çmimet e ngritura të këtyre materialeve, dhe ato të paralajmëruara për t’u ngritur së shpejti, janë pashmangshëm pjesë e kostos së pritshme të një niveli tjetër të një metri katror ndërtimi të finalizuar. Gjithsesi, një rol të veçantë, në çmimet e banesave në këtë vit, si gjithherë do ta ketë edhe oferta dhe kërkesa, e që në vitet e fundit ëshë në disproporcion të vrejtshëm në dëm të afetrtës. Thjeshtë, nuk më blerës sikundër që ka pasur më herët, në disa vite më përpara në Kosovë. Ka rënë ndjeshëm shitja e pasurive të paluejtshme, sidomos të banesave. Në këtë trend çmimesh të reja dhe sosh të paralajmëruara për t’u ngritur potencialisht të materialeve të ndërtimit (lëndës së parë, pra, në ndërtimtari) mbetët të shihet se ç’do të ndodhë saktësisht në sektorin e ndërtimit të vendit sa i përket çmimeve. /Buletini Ekonomik