Kosova sivjet për herë të parë ka marrë nga duart e sektorit privat terminalet doganore, të cilat tash i takojnë menaxhimit publik, reformë kjo që synon ofrimin e shërbimeve më të lira dhe efikase për bizneset.
Këto terminale që shërbejnë për zhdoganimin e mallrave, procedurat e import/eksportit dhe kontrollin kufitar, vlerësohet se kanë potencial për grumbullimin e miliona eurove, të cilat tani do të derdhen drejtpërsëdrejti në buxhetin e shtetit.
Rritja e të ardhurave buxhetore nën menaxhim të drejtpërdrejtë të tarifave nga shteti, përfshirë dhe shërbimet e tjera, vlerësohen si efekte pozitive, për të pasuar më tej rritjen e transparencës, ngushtimin e hapësirave për favorizime e mbështetjes për zhvillim ekonomik, duke siguruar një treg të drejtë dhe të barabartë.
Reformat e filluara, sipas zyrtarëve doganorë, pritet që përgjatë vitit t`ua kursejnë bizneseve 20 milionë euro.
“Së bashku me reformat që kemi bërë edhe me fillimin e zhdoganimit në Portin e Durrësit tani edhe me vendosjen e terminaleve në menaxhim të shtetit, në bazë të dhënave të qarkullimit tregtar të vitit 2025, do të arrijmë të kursejmë 20 milionë euro për bizneset në përgjithësi”, tha Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
Dogana nënvizon se kanë bërë përgatitje shtesë për menaxhimin e terminaleve doganore, si dhe të kontrolleve.
“Ne kemi bërë përgatitje shtesë si të adresojmë rritjen e tregtisë së jashtme e cila ka qenë prej 10% vit për vit. Ne kemi pasur avancim të qasjes, praktikave se si i inspektojmë kontrollet që të jemi në linjë me kërkesat e komunitetit të biznesit”, tha Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës
Kalimi nga menaxhimi privat në atë publik i terminaleve doganore, nga Oda Ekonomike e Kosovës shihet si mundësi për krijimin e lehtësirave për kompanitë e huaja që tregtojnë në tregun vendor.
“Ky është lehtësim për kompanitë e huaja që nuke paguajnë taksën e ofrimit të shërbimeve. Ne si Ode Ekonomike gjithmonë jemi për një konkurrencë të lirë”, tha Lulzim Rafina kryetar i OEK-ut.
Ndërkohë nga këndvështrimi i njohësve të ekonomisë, menaxhimi i terminale nga shteti vlerësohet hap pozitiv.
“Nëse argumentohet se këto terminale doganore janë dhënë në shfrytëzim për interesa individuale, qoftë për vota të ndryshme, kjo mendoj se është një qasje pozitive pastaj sepse nuk mund të bësh pazar me pasuritë shtetërore dhe do të shohim efektin në të hyrat e shtetit”, tha Nagip Skenderi, profesor i ekonomisë.
Nga një sa menaxhonte, tani janë 11 terminale doganore që tërësisht janë nën menaxhim shtetëror. Terminalet doganore nuk janë vetëm pika kalimi për mallrat, por edhe qendra strategjike të fitimit.











