Nënshkruhet kontrata 12 milionë euro për impiantet në “Kosova B”, synohet pastrimi i Lumit Sitnica

Në ambientet e Termocentralit “Kosova B”, dje është nënshkruar kontrata për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit për përmirësimin e cilësisë së ujit në Lumin Sitnica.

Projekti, me vlerë prej 12 milionë eurosh, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim me institucionet vendore, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit dhe forcimit të infrastrukturës energjetike në vend. Ajo theksoi se përveç ruajtjes së kapaciteteve ekzistuese, synimi është rritja e efikasitetit dhe përputhja me standardet mjedisore.

Reklama e sponzorizuar

“Ky projekt përputhet plotësisht me prioritetet tona sektoriale për forcimin e infrastrukturës energjetike publike si një shtyllë kyçe e sigurisë së furnizimit me energji. Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efiçiente dhe në përputhje me standardet mjedisore”, ka thënë ajo.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Fitore Pacolli Dalipi, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Bashkimin Evropian, si dhe përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).

Projekti parashikon krijimin e një sistemi të integruar për trajtimin e llojeve të ndryshme të ujërave të ndotura, duke përfshirë ujërat industriale, ato me përmbajtje vajrash dhe kimikatesh, si dhe rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit.

Zbatimi i këtij projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së Lumit Sitnica dhe në përmirësimin e standardeve mjedisore dhe shëndetësore në Kosovë. /Buletini Ekonomik/