Miratohen në parim Projektligjet për Energjinë dhe Energjinë Elektrike

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Komisioni Parlamentar për Ekonomi ka miratuar në parim Projektligjet për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, pas votimit paraprak nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Këto dy projektligje konsiderohen si pjesë thelbësore e reformës në sektorin energjetik dhe lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e Pakos së Energjisë së Pastër, që synon krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe me energji të përballueshme për qytetarët.

Sipas Ministrisë, përmes këtyre ligjeve bëhet transpozimi i pjesshëm i legjislacionit të Bashkimi Evropian, përfshirë Direktivën 2019/944 dhe Rregulloren 2019/943, duke e afruar më tej kornizën ligjore të Kosovës me standardet evropiane.

Reklama e sponzorizuar

Miratimi i tyre shihet si hap i rëndësishëm edhe në aspektin financiar, pasi vendi i afrohet përmbushjes së kushteve për të përfituar mbi 9 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.

Autoritetet theksojnë se ligjet e reja do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës në tregun e energjisë, forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe reformimin e përgjithshëm të sektorit. Një fokus i veçantë i kushtohet konsumatorëve të cenueshëm, si dhe përzgjedhjes konkurruese të furnizuesit të shërbimit universal, me qëllim ofrimin e kushteve më të favorshme për qytetarët.

Po ashtu, projektligjet krijojnë bazën ligjore për zhvillimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë, përfshirë investimet në teknologjinë e baterive, stabilizimin e rrjetit dhe integrimin e Kosovës në tregun rajonal dhe evropian të energjisë elektrike.

Ministria e Ekonomisë ka falënderuar të gjithë kontribuuesit në hartimin e këtyre ligjeve, përfshirë mbështetjen teknike nga USAID, LuxDev dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, si dhe qytetarët dhe organizatat që kanë dhënë komente gjatë procesit.

Tashmë pritet që projektligjet të procedohen për miratim përfundimtar në Kuvendin e Kosovës. /Buletini Ekonomik/