Kosova importoi gati 3 miliardë euro mallra për pesë muaj, eksportet u rritën në 419 milionë euro

Eksporti dhe importi
Foto ilustruese, eksport dhe import

Kosova ka importuar mallra në vlerë prej afro 3 miliardë eurosh gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej rreth 162 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Gjermania, Kina dhe Turqia vazhdojnë të jenë partnerët kryesorë tregtarë të vendit në aspektin e importeve. Nga këto tri shtete janë importuar mallra në vlerë prej 1.13 miliard eurosh, që përfaqësojnë rreth 38 për qind të totalit të importeve në periudhën janar-maj.

Vetëm gjatë muajit maj, vlera e importeve arriti në 635 milionë euro, ose mbi 5 për qind më shumë krahasuar me majin e vitit 2025, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të importeve e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, produktet minerale, ushqimet e përpunuara, pijet dhe duhani, mjetet e transportit, si dhe metalet bazë dhe produktet e tyre.

Ndërkohë, eksportet e Kosovës kanë shënuar rritje gjatë kësaj periudhe. Vlera e mallrave të eksportuara ka arritur në 419 milionë euro, ose rreth 16 për qind më shumë krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Gjatë muajit maj janë eksportuar mallra në vlerë prej 94 milionë eurosh, megjithëse kjo paraqet një rënie të lehtë krahasuar me muajin prill.

Produktet kryesore të eksportit vazhdojnë të jenë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, plastika dhe produktet e gomës, ushqimet e përpunuara, pijet dhe duhani, produktet minerale, si dhe artikuj të ndryshëm të prodhuar.

Por, pavarësisht rritjes së eksporteve, Kosova vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar, duke reflektuar varësinë e madhe të ekonomisë nga importet. Për krahasim, gjatë vitit 2025 vendi importoi mallra në vlerë prej rreth 7 miliardë eurosh, ndërsa eksportet mbetën nën nivelin e 1 miliard eurove. /Buletini Ekonomik/