Vërshojnë perimet e stinës në tregjet e gjelbra të vendit

Furnizimi më i mirë, si në cilësi, po ashtu edhe në sasi, me perime të stinës në tregjet e gjelbra të vendit ka ndikuar këtyre ditëve në uljen e çmimeve të shumë produkteve bujqësore, duke i bërë ato më të pranueshme edhe për konsumatorët me mundësi më të pakta financiare.

Buletini Ekonomik

Perimet e stinës, me llojllojshmëri dhe me cilësi të mirë, këto ditë kanë vërshuar tregjet e gjelbra të Kosovës. Domatja cilësore, edhe ajo rozë edhe e rëndomta, qoftë nga serrat e Shqipërisë, qoftë nga kopshtet e Mamushës dhe të fshatrave përreth Prizrenit, tani gjendet me bollëk në tezgat e tregjeve tona të fruta-perimeve dhe konsumatori ka mundësi zgjedhjeje. Tregjet dominohen po kështu edhe nga specat, djegës dhe padjegës, të cilët kryesisht janë nga importi dhe, me shumicë, nga Turqia, Greqia dhe Shqipëria. Një perim tjetër, që ka prezencë të madhe në treg këtyre ditëve, është trangulli cilësor nga pamja e jashtme, por edhe nga shija, i tëri prodhim vendor, i kopshtarëve mamushas dhe i kopshtarëve të zonave përreth. Nuk mungojnë patatet, lakrat e sivjetshme, karrotat, qepët e vjetra dhe të rejat, këto të sivjetshmet, si edhe spinaqi. Dhe, krahas rritjes së asortimentit të perimeve dhe sasisë e cilësisë së tyre në tregjet tona, konsumatorët e vërejnë një ulje goxha të ndjeshme të çmimeve të perimeve, sidomos të këtyre të stinës, krahasuar sidomos me muaj më parë, por edhe me javë e ditë të shkuara.

Reklama e sponzorizuar

Të hënën dhe të martën, edhe në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës kishte shumë më tepër perime se para dy-tre javësh. Dominonin specat djegës dhe padjegës, domatet, trangujt, lakrat, patatet, spinaqi, qepët e reja dhe të vjetra etj. Domatet, ato të ashtuquajturat rozë, të cilësisë së pëlqyeshme, të martën kishin çmimin 1 euro për një kilogram, ndërsa domatet e rëndomta kushtonin 80 centë. Edhe te specat vërehet ulje e çmimit krahasuar me ditët dhe javët e kaluara. Një kilogram i specave të padjegës, i cilësisë mesatare, tregtohej me 1,2–1,5 euro, ndërsa çmimi i një kilogrami të specave djegës, të atyre të importuar nga Greqia, të cilësisë së pranueshme, kushtonte 2 euro. Ndërsa trangujt tash e sa kohë kanë standardizuar çmimin 50 centë dhe, siç thonë tregtarët, pothuajse e tërë sasia e trangujve është prodhim vendor. Qepët e reja kishin çmimin 4–5 deri në 7–8 tuba për 1 euro, ndërsa hudhra e re, po kështu e lidhur, kushtonte dyfishin e qepëve. Patatet tregtoheshin me 80 centë kilogramin, ndërsa lakra e re 70 centë një kilogram.

Nga pemët në tregjet e gjelbra të kryeqytetit vazhdon të dominojë banania, e cila të hënën tregtohej me çmimin 1–1,2 euro për një kilogram, dhe mollët, që tregtohen me 1 dhe 1,2 euro për një kilogram. Spinaqi, një nga perimet e konsumuara më shumë në këtë kohë, kishte çmimin 1 euro dhe, në disa tezga brenda tregut, edhe 1,5 euro.

“Këto ditë në treg kanë nisur të ulen çmimet e perimeve të stinës dhe të bëhen më të pranueshme nga blerësit. Çmimet aktuale, me tendencë uljeje, janë një ndihmesë e prekshme për buxhetin familjar të shumicës së familjeve kosovare. Thjesht, secila familje e ka më të lehtë furnizimin me perime, sidomos, por edhe me pemë për t’i plotësuar kërkesat për fruta e perime”, ka thënë dje një prishtinas, frekuentues dhe konsumator i rregullt i tregjeve të kryeqytetit.

Sipas tij, çmimet në këtë treg, por edhe në tregjet e tjera të gjelbra të Prishtinës, sado që ende janë të larta për konsumatorët me mundësi më të pakta financiare, këtyre ditëve sikur janë bërë më të pranueshme për prishtinasit. Tani ka edhe shitje më shumë të perimeve në tregjet e gjelbra, por edhe në shitoret e specializuara të fruta-perimeve, ku nuk dallojnë shumë çmimet nga tregjet e gjelbra. /Buletini Ekonomik/