Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës dhe ushtrim të ndikimit. Njëri prej të akuzuarve është ish-kryeshefi i Kompanisë së Mbeturinave “Pastrimi”, Burim Kelmendi.
Sipas aktakuzës, Kelmendi gjatë viteve 2020 dhe 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, dhe në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘’KRM Pastrimi’’, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit.
“I njëjti ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, përkatësisht 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërkohë personat e punësuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, duke mos shpallur konkurs publik dhe duke vazhduar më pas kontrata në fjalë. Po ashtu, i pandehuri ka nxjerrë aktvendime për avancimin e të punësuarve duke mos respektuar procedurat përkatëse të avancimit.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114, 535.06 euro.
Ndërsa për të pandehurin N.Rr. në aktakuzë thuhet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash lidhur me punësimin e disa personave.
“Ndërkaq, i pandehuri N.Rr. gjatë muajit mars 2021 në cilësinë e Koordinatorit në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ‘’Pastrimi’’ në Prishtinë, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka kërkuar dhe ka marrë shumën prej 1.500 euro, nga të dëmtuarit J.D., M.D., A.B., G.B., dhe R,N., për punësimin e tyre duke premtuar se do të ushtronte ndikim të kundërligjshëm në vendimmarrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie”.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi./Koha.net/









