Kosova vazhdon të ketë një nga sistemet energjetike më të varura nga lëndët djegëse fosile në Evropë, me linjitin që mbetet burimi dominues i prodhimit të energjisë elektrike, thuhet në një raport të publikuar së fundmi nga Instituti GAP, i cili analizon zhvillimet në sektorin energjetik gjatë periudhës 2018–2025.
Sipas raportit, edhe në vitin 2025 termocentralet Kosova A dhe Kosova B siguruan rreth 88.5 për qind të prodhimit vendor të energjisë elektrike, ndërsa burimet e ripërtëritshme kontribuuan me vetëm 11.5 për qind. Nga kapaciteti i përgjithshëm operativ prej 1,261 megavatësh, 960 MË, ose 76 për qind, sipas GAP-it, vazhdojnë të jenë kapacitete të bazuara në linjit.
Megjithatë, raporti vlerëson se gjatë viteve të fundit është shënuar përparim në tranzicionin energjetik. GAP thotë se kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme janë rritur ndjeshëm falë investimeve në parqe me erë, hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike. Sipas të dhënave të tyre, në vitin 2025, Kosova kishte të instaluara 137.2 MË energji me erë, 128.5 MË hidroenergji dhe 35.5 MË energji diellore, duke bërë që pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në kapacitetin prodhues të rritet nga rreth 11 për qind në vitin 2018 në 24 për qind në vitin 2025.
Raporti thekson se rritja e kapaciteteve prodhuese gjatë kësaj periudhe është realizuar pothuajse tërësisht falë investimeve në burime të ripërtëritshme, ndërsa kapaciteti i termocentraleve me linjit ka mbetur i pandryshuar në 960 MË.
Sipas GAP-it, Kosova zotëron rezerva të mëdha të linjitit, të vlerësuara në rreth 12.5 miliardë tonë, por nuk ka prodhim vendor të naftës dhe gazit natyror, as infrastrukturë për prodhimin e energjisë elektrike nga gazi.
Megjithatë, Instituti GAP ngre shqetësime edhe për politikën aktuale të çmimeve të energjisë elektrike. Sipas raportit, tarifat e subvencionuara, ndonëse ndihmojnë në zbutjen e varfërisë energjetike, ulin motivimin e konsumatorëve për kursim dhe investime në efiçiencë energjetike, si dhe interesimin e sektorit privat për investime në energjinë e ripërtëritshme.
GAP rekomandon reformimin e politikës së subvencionimit dhe orientimin drejt mekanizmave të bazuar në treg. Sipas vlerësimeve të cituara, një rritje prej 19 për qind e tarifave të energjisë elektrike mund t’i siguronte Korporatës Energjetike të Kosovës mbi 90 milionë euro të hyra shtesë në vit, ndërsa subvencionet do të duhej të fokusoheshin më shumë tek familjet me të ardhura të ulëta. Njëkohësisht, edhe përdorimin e ankandeve për energjinë e ripërtëritshme, GAP e konsideron si një mekanizëm më efektiv për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe dekarbonizimin e sektorit energjetik në Kosovë. /Buletini Ekonomik/









