Politizimi i skajshëm dhe i dëmshëm i gazit amerikan

Në debate të shumta dhe në trajtime të panumërta dominon përpjekja për politizim të skajshëm të gazit amerikan, sidomos nga opozitarët. Ndërkohë, mungojnë analizat, shqyrtimet ekonomike e shkencore dhe faktet që do të argumentonin pse ky produkt energjetik duhet të konsiderohet domosdoshmërisht si e ardhmja energjetike e Kosovës, apo si shpëtimi nga sfidat energjetike të vendit. Po ashtu, mungojnë të dhëna dhe fakte që tregojnë se sa është e përgatitur Kosova financiarisht, por edhe në aspektin e kapaciteteve profesionale e teknike, për të realizuar me sukses vizionin e gazifikimit ose ndërtimin e një termocentrali me gaz të lëngshëm amerikan.

Mehmet GJATA

Gazi i lëngshëm amerikan në raport me Kosovën, tash e sa kohë (javë dhe muaj), është bërë trend i trajtimit për shumëkënd dhe gjithkënd, si për politikanët dhe ekspertët, ashtu edhe për laikët dhe ata që nuk e kanë haberin se çfarë është ky resurs – gazi i lëngshëm, pra. Herë trajtohet sikur të ishte një produkt fare i rëndomtë, si të ishte trangulli i kopshteve të Rahovecit; herë si shpëtimtar i Kosovës, e shumë herë po shërben për të vënë në shënjestër “refuzimin e qeverisë Kurti të së mirës së ofruar nga aleati dhe partneri i pakontestueshëm i Kosovës”.

Dhe në të gjitha këto trajtime dominon domosdo përpjekja për politizim të skajshëm të gazit amerikan, sidomos nga opozitarët dhe një pjesë e analistëve të njohur. Ndërsa mungojnë analiza, shqyrtime ekonomike e shkencore dhe fakte pse qenka domosdoshmërisht ky produkt energjetik ardhmëria energjetike e Kosovës, ose shpëtimi nga ky resurs. Mungojnë në këto trajtime të dhëna dhe fakte që flasin se sa është e përgatitur Kosova financiarisht, por edhe me kuadro e profesionistë të domosdoshëm për të realizuar me sukses vizionin e gazifikimit, ose ndërtimin e një termocentrali me gaz të lëngshëm amerikan.

Nuk përmenden fare parametra bindës pse gazi i importuar njëqind për qind duhet të jetë prioritet mbi prioritetet dhe pse duhet injoruar qymyri ynë, që e kemi me dhjetëra miliarda rezerva dhe thuajse në sipërfaqe të tokës, për ta implementuar me përparësi gazin e lëngshëm, të importuar tërësisht.

Nuk shpjegohet nga përkrahësit e zellshëm të gazit amerikan pse u dashka domosdo gazsjellësi nga Greqia, më saktësisht nga Aleksandropoli grek, për të sjellë gazin amerikan në Kosovë, dhe pse nuk u dashka sjellë ky gaz nëpërmjet Shqipërisë, respektivisht portit të Vlorës.

Pra, edhe pse mundësia e sjelljes së gazit nëpërmjet Shqipërisë do të ekzistojë së shpejti, sepse tashmë Shqipëria e ka nënshkruar me amerikanët mundësinë e furnizimit për 20 vitet e ardhshme me gaz të lëngshëm, këtë alternativë nuk e përmend askush.

Aleksandropoli nuk është i vetmi vend prej nga mund ta marrim gazin amerikan, por të gjithëdijshmit e zhvillimeve energjetike në vend nuk e apostrofojnë gjëkundi këtë fakt.

Dhe këta zëra, por edhe shumë politikanë e analistë, për t’u imponuar sa më shumë me pikëpamjet e tyre, tentojnë me çdo kusht t’i fryjnë zjarrit të politizimit ekstrem të çështjes, duke shkuar deri aty sa të deklarojnë zëshëm, dhe jo një herë, se “refuzimi i gazit amerikan është agjendë antiamerikane që minon qëndrueshmërinë e Kosovës” dhe se “refuzimi i gazit amerikan buron nga një agjendë e mbrapshtë antiamerikane”, se “refuzimi mund të çojë në dobësimin e raporteve Kosovë–SHBA” e kështu me radhë, duke aluduar pafundësisht se kjo është politika e VV-së dhe e kreut të saj.

Alarmin për domosdoshmërinë e gazit amerikan, deri në politizim të bezdisshëm, e kanë aktualizuar pa pra në këta muaj veçanërisht Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës, si dhe krerët e këtyre asociacioneve, të cilët në një farë mënyre marrin anë dhe konstatojnë se “ekziston një kërkesë e qartë amerikane për investime në infrastrukturën e gazit të lëngshëm natyror (LNG), duke kundërshtuar pretendimet se kjo nuk është kërkesë zyrtare e Washingtonit”.

Sipas OEAK-së, vendet e rajonit tashmë po pozicionohen brenda korridoreve të reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjatë të furnizimit.

“Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë”, vlerëson ndër të tjera ky asociacion.

Dhe, ç’është e vërteta, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një mënyrë apo në një tjetër, nëpërmjet personave të ndryshëm, madje edhe diplomatëve, nuk është se nuk e kanë shtyrë gjithnjë e më hapur Prishtinën drejt projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.

Mesazhi nga Uashingtoni tashmë është bërë goxha i qartë: “Nëse Kosova vonohet, rrezikon të mbetet jashtë hartës së re energjetike rajonale”.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, javë më parë, në një opinion kushtuar sigurisë energjetike, ka bërë thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG), duke paralajmëruar se vendi po hyn në një varësi gjithnjë e më të madhe nga importi i energjisë.

“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”.

Sipas diplomates amerikane në Kosovë, përfshirja në projektet amerikane të gazit do të krijonte diversifikim të furnizimit me energji dhe do të forconte partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare”, ka theksuar diplomatja amerikane.

Edhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), nëpërmjet drejtorit të tij, vlerëson se “Kosova ka mbetur prapa për shkak të mungesës së një qëndrimi të qartë politik për gazin”.

Sipas INDEP-it, “mënyra më e lehtë e tranzicionit energjetik është përmes gazit, pasi gjatë djegies ai emeton rreth dy herë më pak dioksid karboni. Po ashtu, termocentrali me gaz vihet në punë shumë shpejt dhe ka kapacitet të kontrolluar prodhimi”.

Në anën tjetër, autoritetet kosovare, si dhe dokumentet e mëhershme e ato aktuale të zhvillimit të energjetikës, nuk e mohojnë përfshirjen e gazit natyror në vizionet e ardhshme energjetike.

Në Strategjinë Energjetike 2022–2031 është paraparë mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, ndërsa qymyri të largohet gradualisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në shkurt të vitit 2026, shprehu gatishmërinë që Kosova të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan.

Kurse kryeministri, Albin Kurti, në një farë mënyre, ka sinjalizuar një qasje më ndryshe, duke e zhvendosur fokusin nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë drejt bashkëinvestimit në terminalin energjetik në Vlorë.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë. Aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe, me interkoneksionin prej 400 kilovoltësh që kemi me Shqipërinë, ta sjellim te ne”, ka deklaruar Kurti dhe ka shtuar se importi i drejtpërdrejtë i gazit në Kosovë nuk është opsioni i parapëlqyer i qeverisë së tij.

Kurti ka përmendur në disa raste edhe idenë e “gazifikimit të qymyrit vendor”, duke deklaruar se Kosova është më e interesuar për shfrytëzimin e qymyrit që gjendet në sipërfaqe sesa për importimin direkt të gazit.

Në Strategjinë Energjetike 2022–2031 të Kosovës thuhet, po kështu, se aktualisht Kosova nuk ka rrjet të transmisionit të gazit. Për ndërtimin e një interkoneksioni për t’u lidhur me sistemet e transmisionit të gazit, qoftë me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), ose me terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Detin Egje apo Jon, d.m.th. përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë, do të duheshin së paku 7–9 vjet.

Ndërtimi eventual i një interkoneksioni do të mundësonte prodhimin e energjisë elektrike me bazë gazi dhe, potencialisht, shfrytëzimin e gazit natyror në industri. Opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë janë duke u analizuar në Master Planin e Gazit.

Kosova ka edhe opsionin e shfrytëzimit të infrastrukturës së gazit që është planifikuar në Shqipëri (lidhja në TAP ose qasja në terminalin e LNG-së në Vlorë). Infrastruktura e gazit në këto vende dhe në Greqi ofron mundësi për (bashkë)investim në kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike.

“(Bashkë)investimi në termocentralet me gaz natyror, për mbulimin e kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohet me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, thuhet në dokument.

Këto janë pak a shumë zhvillimet rreth gazit amerikan. Partitë opozitare zgjidhjen e shohin te ndërtimi i një centrali me gaz, kurse partia në pushtet parasheh me përparësi rehabilitimin e Kosovës B dhe rindërtimin e vetëm një njësie të Kosovës A.

Sidoqoftë, centrali me gaz, në rrethanat aktuale, është projekt-vizion me plot sfida, nëse merret parasysh fakti se ende mungon infrastruktura rajonale e tubacioneve. Është projekt me shumë të panjohura, shumë i kushtueshëm dhe që do të na ekspozonte sërish ndaj çmimeve të larta të importit.

Edhe nëse do të niste sot, sipas ekspertëve, minimalisht 10 vjet do të merrte kohë vetëm ndërtimi i infrastrukturës.

Kurse, politizimi i skajshëm i gazit të lëngshëm amerikan vetëm sa e dëmton Kosovën, zhvillimin energjetik të saj, por edhe imazhin politik të shtetit tonë. /Buletini Ekonomik/