Hasaj: Debati për gazin po dominohet nga politika, mungojnë analizat ekonomike dhe energjetike

Njohësi i ekonomisë dhe drejtuesi i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka reaguar me një postim në facebook rreth temës së ndërtimit të kapaciteteve me gaz. Ai ka vlerësuar se debati aktual për ndërtimin e kapaciteteve të gazit në Kosovë është duke u zhvilluar në mënyrë të dominuar nga aspekti gjeopolitik, ndërsa, sipas tij, po mungon në masë të madhe trajtimi ekonomik, teknik dhe shkencor i projektit.

Hasaj thekson se, ndonëse dimensioni gjeopolitik është i rëndësishëm, aktualisht shoqëria kosovare gjendet në një situatë amullie sa i përket kuptimit real të ndikimit ekonomik që do të kishte ky projekt mbi pavarësinë energjetike dhe strukturën e tregut të energjisë në vend.

Ai kritikoi mungesën e analizave të thelluara nga institucionet shtetërore dhe nga ekspertët e pavarur të energjisë, duke theksuar se projekte të tilla duhet të diskutohen gjerësisht me shoqërinë për shkak të ndikimit të tyre afatgjatë.

Sipas tij, Qeveria nuk ka arritur të komunikojë mjaftueshëm me publikun për çështje të tilla strategjike, ndërsa një pjesë e ekspertëve të energjisë, sipas Hasajt, janë tërhequr nga debati ose po merren kryesisht me analiza të vonshme pas vendimeve (“ex-post”).

Hasaj thekson se ndërtimi i kapaciteteve të gazit nënkupton varësi të pjesshme nga importi në prodhimin e energjisë elektrike. Ai, me këtë rast, kujton se çmimi i gazit, ngjashëm me atë të energjisë elektrike, ka shënuar luhatje të mëdha gjatë viteve të fundit, duke u rritur në disa raste edhe disa herë.

Në tërësi, Hasaj ka listuar një sërë çështjesh që, sipas tij, mbeten pa përgjigje dhe që janë thelbësore për një vendimmarrje të informuar:

– Çfarë lloj kontratash duhet të nënshkruhen me Greqinë (në Alexandroupolis) për furnizim me gaz?

– A do të ketë Kosova obligim për të blerë një sasi minimale të gazit gjatë vitit? Nëse po, sa është ajo sasi?

– A mjafton ndërtimi i rrjetit të gazit dhe sigurimi i kapaciteteve përmes Maqedonisë së Veriut, për të blerë gaz vetëm sipas nevojës?

– A lejojnë kontratat për LNG importim fleksibil vetëm në periudha të caktuara (p.sh. dimër), apo do të kërkohet furnizim gjatë gjithë vitit?

– A nënkupton kjo se Kosova do të duhet të importojë vazhdimisht dhe potencialisht të ndalojë prodhimin vendor në disa periudha?

– Sa do të ndikonte kjo në barrën financiare për qytetarët dhe në tregun e energjisë?

– Për çfarë përdorimi është më efikas gazi në Kosovë: për prodhim të energjisë elektrike apo për furnizim të industrisë?

– Cilat janë përfitimet konkrete për bizneset, veçanërisht ato në parqet industriale?

– Nëse gazi përdoret për energji elektrike, për sa kapacitet bëhet fjalë (100 MW, 200 MW, 300 MW apo 500 MW)?

– Sa do të kushtojë ndërtimi i gypit të gazit dhe termocentralit, si dhe vetë kontrata e furnizimit?

– Si do të ndikojnë këto kosto në tarifat e energjisë elektrike pas hyrjes në funksion?

– A do të ndikojë gazi në zhvillimin e tregut të energjisë dhe në dispeçimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme?

– A janë kapacitetet me gaz komplementare apo zëvendësuese me burimet e ripërtëritshme?

– A mund të shfrytëzohet infrastruktura e gazit në të ardhmen për transport të hidrogjenit si burim energjie më i pastër?

Hasaj vlerëson se Qeveria e Kosovës beson që, te kapacitetet bazë (baseline), njësia A3 e rinovuar dhe e vendosur si njësi rezervë për kohën e dimrit, bashkë me bateritë e MCC-së, do të kenë po atë rol që mund të ketë një termocentral me gaz prej 200 MW. Por, sipas tij, kjo bazohet në supozimin që B1, B2, A4 dhe A5 do të funksionojnë “si të ishin të reja” gjatë gjithë vitit, gjë që në praktikë nuk po ndodh, pasi herë pas here bie njëra njësi e herë tjetra.

Ai thekson se ngarkesa maksimale në vitin 2025 në sistemin elektroenergjetik ka qenë më e lartë sesa edhe parashikimi i lartë për vitin 2031 në Strategjinë aktuale të energjisë, duke arritur në 1624 MWh. Ky konsum i lartë, sipas tij, është regjistruar ende pa u shtrirë më gjerësisht elektrifikimi i transportit apo investimet e mundshme në qendra të të dhënave.

Në disa ditë gjatë dimrit, prodhimi vendor, sipas Hasajt, ka arritur të mos mbulojë as 40% të kërkesës në vend. Prandaj, ai vlerëson se Qeveria duhet të jetë realiste kur merr vendime rreth gazit, e jo optimiste në kalkulime, si për kërkesën që pritet të kemi në vend, ashtu edhe për kapacitetet e termocentraleve për të performuar pas rinovimeve deri në vitin 2040 apo 2050.

“Pra, Qeveria duhet të jetë realiste kur të marr vendim rreth gazit, e jo optimiste në kalkulime, si rreth kërkesës që pritet ta kemi në vend, kapaciteteve të termocentraleve për të performu pas këtyre rinovimeve deri me 2040 apo 2050, etj.”, thotë Hasaj.

Hasaj tutje thekson se rajoni po investon intensivisht në infrastrukturë gazi, me ndërtimin e rrjeteve të reja dhe rezervimin e kapaciteteve për furnizim. Ai përmend se edhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi po e përfshijnë gazin në miksin e tyre energjetik, ndonëse aktualisht nuk e kanë pjesë të sistemit të tyre energjetik. Sipas tij, këto zhvillime përbëjnë sinjal të rëndësishëm për Kosovën në procesin e vendimmarrjes.

Hasaj vlerëson se dimensioni gjeopolitik është i rëndësishëm, veçanërisht përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të reduktuar varësinë energjetike të rajonit nga ndikimi rus. Prandaj, ai thotë se Kosova duhet të jetë pjesë e këtyre nismave, por vetëm nëse ato mbështeten në analiza të plota ekonomike dhe teknike, në mënyrë që kapacitetet e gazit të mos kthehen në barrë financiare. /Buletini Ekonomik/