Tre skenarët e së ardhmes energjetike të Kosovës sipas Luigj Imerit

Debati për drejtimin që duhet të marrë sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbetet i hapur, veçanërisht në kontekstin e tranzicionit energjetik dhe nevojës për sigurim të furnizimit të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, njohësi i sektorit elektroenergjetik dhe ish-drejtuesi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Luigj Imeri, ka paraqitur tre skenarë të mundshëm për zhvillimin e ardhshëm të sistemit energjetik të vendit, duke theksuar se asnjëri prej tyre nuk është pa sfida.

Imeri vlerëson se në diskursin publik shpesh po thjeshtëzohet debati në një zgjedhje mes burimeve të ripërtëritshme dhe termocentraleve ekzistuese, ndërsa realisht kërkohet një kombinim më i gjerë teknologjish për të garantuar sigurinë energjetike.

Sipas tij, Kosova përballet me disa rrugë të mundshme zhvillimi, të cilat ndryshojnë në nivel fleksibiliteti, kostoje dhe varësie nga importi.

Skenari i parë, sipas Imerit, përfshin kombinimin e KEK-ut me energjinë solare dhe të erës. Ky opsion, sipas tij, ndihmon në procesin e dekarbonizimit, por mbetet i kufizuar në fleksibilitet operacional dhe rrit varësinë nga importi gjatë periudhave të pikut të konsumit dhe prodhimit të ulët nga burimet e ripërtëritshme.

Në skenarin e dytë, ai përfshin futjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në sistem, së bashku me KEK-un dhe burimet solare e të erës. Sipas tij, ky kombinim rrit ndjeshëm fleksibilitetin e sistemit dhe mundëson balancim më të shpejtë të prodhimit, duke ofruar siguri më të lartë operative, ndonëse një nivel varësie nga importi mbetet i pashmangshëm.

Ndërkohë, skenari i tretë, që kombinon kapacitetet ekzistuese dhe të reja të linjitit me LNG dhe burimet e ripërtëritshme, sipas Imerit paraqet opsionin më të fuqishëm për sigurinë energjetike kombëtare. Ai thotë se ky skenar do të reduktonte varësinë nga importi dhe do të rriste stabilitetin afatgjatë të sistemit, por mbetet i sfiduar nga politikat e dekarbonizimit dhe nevoja për investime të mëdha financiare.

Si përfundim, Imeri thekson se ndonëse skenari i tretë do të ishte më i favorshmi nga perspektiva e sigurisë energjetike kombëtare, në rrethanat aktuale të Kosovës, skenari i dytë mbetet kompromisi më i arsyeshëm ndërmjet sigurisë së furnizimit, fleksibilitetit operacional dhe realitetit politik e financiar me të cilin përballet Kosova. /Buletini Ekonomik/