ZKA: Mbi 91 mijë euro pensione u paguan për persona të vdekur

Euro

Pagesat e pensioneve për persona që kanë ndërruar jetë vazhdojnë të mbeten një problem për financat publike në Kosovë.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), gjatë vitit 2025 janë realizuar qindra pagesa pensionale edhe pas vdekjes së përfituesve, duke i kushtuar buxhetit të shtetit mbi 91 mijë euro.

Në raportin vjetor të auditimit për Ministrinë e Financave, ZKA vlerëson se këto pagesa nuk do të duhej të ndodhnin, pasi sipas legjislacionit në fuqi pensionet duhet të ndërpriten menjëherë pas vdekjes së përfituesit.

Një nga arsyet kryesore që përmendet në raport është vonesa në raportimin dhe regjistrimin e rasteve të vdekjes në sistemet përkatëse shtetërore. Si pasojë, institucionet përgjegjëse për administrimin e skemave pensionale vazhdojnë të kryejnë pagesa për persona që nuk figurojnë më si përfitues aktivë.

Auditori ka konstatuar se gjatë periudhës së audituar janë realizuar qindra pagesa të tilla, duke krijuar shpenzime të panevojshme për buxhetin publik dhe duke dëmtuar efikasitetin e menaxhimit të fondeve shtetërore. Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që institucionet përgjegjëse të analizojnë rastet e evidentuara dhe të shqyrtojnë mundësitë për kthimin e mjeteve të paguara në mënyrë të parregullt.

Po ashtu, në raport kërkohet forcimi i koordinimit ndërmjet regjistrave civilë dhe institucioneve që menaxhojnë skemat pensionale, me qëllim që të dhënat për vdekjet të përditësohen në kohë reale dhe të shmangen pagesat e padrejta në të ardhmen.

Pagesat e pensioneve pas vdekjes së përfituesve janë evidentuar edhe në raportet e viteve të mëhershme të auditimit, çka tregon se problemi vazhdon të përsëritet pavarësisht rekomandimeve të vazhdueshme për përmirësimin e mekanizmave të kontrollit.