Më shumë strategji sesa energji e prodhuar

Agron Demi na ofron një historik mbi dy dekadësh të dështimeve strategjike në sektorin e energjisë.

Agron Demi

Që nga viti 2003, Kosova ka hartuar pesë strategji të mëdha energjetike, plus planin e parë kombëtar për energji dhe klimë. 

Çdo dokument ka ardhur me premtime: prodhim i ri, humbje më të ulëta, burime të ripërtërishme, efiçiencë energjetike, integrim rajonal. Çdo dokument ka kaluar nëpër debate parlamentare, nënshkrime ministrore dhe konferenca ndërkombëtare.

Rezultati? Kosova vazhdon të funksionojë me dy termocentrale të ndërtuara në epokën jugosllave, Kosova A, e vënë në punë midis viteve 1962 dhe 1975, dhe Kosova B, e përfunduar në vitin 1984. Termocentrali i tretë, ndërroi emër e kapacitet, u shpenzuan rreth 20 milionë euro në këshilltarë të transaksionit, në fund u dizajnua aq keq sa Kosova humbi edhe 20 milionë euro në arbitrazh dhe termocentrali nuk u ndërtua.

Kjo është një histori e vizionit pa ekzekutim; e strategjive që u shkruan njëra pas tjetrës pa ndryshuar asgjë thelbësore në rrjet, në humbje, te konsumatorët apo te buxheti.

Çdo strategji ka qenë e shkruar më mirë se ajo para saj. Ajo që nuk është përmirësuar, me të njëjtën konsistencë është infrastruktura energjetike që ndriçon shtëpitë e ekonominë tonë.

Kosova C (e Re) dhe ëndrra e 2,100 megavatëve

Midis viteve 2005 dhe 2006, qeveria e Kosovës lansoi projektin që do ta pushtonte planifikimin energjetik për dy dekada: Kosova e Re, një termocenral me linjit me kapacitet 2,100 megavat. Banka Botërore nënshkroi asistencë teknike prej 8.5 milionë dollarësh. Katër konsorciume ndërkombëtare u parakualifikuan si investitorë të mundshëm. Strategjia 2005–2015 e shpalli projektin si investimin qendror të Kosovës.

Viti 2008 solli Qeveri të re dhe rishikim të vendimeve të qeverive paraprake. Rishikimi zbuloi se 2,100 MW ishte financiarisht i paleverdishëm. Projekti u shkurtua në 1,000 MW.

Një vit më vonë, Samiti i Kopenhagës transformoi financimin ndërkombëtar të qymyrit. Banka Botërore lajmëroi qartë: financim për termocentral me linjit nuk kishte më. Kosova e Re u ri-rishikua dhe u reduktua në 600 MW.

Më 2017, Strategjia e re e caktoi projektin në 500 MW, me afat të komisionimit deri në 2023. Më 2022, Strategjia më e re dhe aktualja e braktisi zyrtarisht projektin. 

Kostoja e këtyre zig-zageve nuk ishte vetëm financiare. Ishte kostoja e vëmendjes politike, e kapitalit diplomatik dhe e kohës. Ndërsa Kosova e Re kalonte nëpër rishikime të pafundme, vendet fqinje filluan t’i ndërtojnë të tyret, park erësh, panele fotovoltaike, interkoneksione. Kosova shkruante strategji.

Kosova A: Frankenshtajni që nuk vdes e as nuk rilind

Asgjë tjetër nuk e ilustron konfuzionin e politikëbërjes energjetike të Kosovës më qartë sesa Kosova A. Që nga viti 2003, çdo strategji ka parashikuar mbylljen e saj. Pesë njësitë e saj, të vjetra midis 50 dhe 65 vitesh deri në vitin 2026, kanë profil të emetimeve shumë mbi standardet e Direktivës Europiane për Impiante të Mëdha Djegëse. Efiçienca termike është e dobët. Kostot e mirëmbajtjes janë të larta. Efektet mbi shëndetin publik janë të dokumentuara gjerësisht.

Megjithatë Kosova A nuk është mbyllur kurrë. Strategjia 2009–2018 parashikonte mbyllje graduale. Strategjia 2017–2026 e vendosi në ‘rezervë strategjike’, duke pritur që Kosova e Re ta zëvendësonte. Kur Kosova e Re u braktis, strategjia 2022–2031 gjeti zgjidhje të re: rehabilitim i pjesshëm me 120 milionë euro, pastaj rezervë strategjike nga viti 2028. Termocentrali që premtohej të mbyllej çdo pesë vjet vazhdon të ndotë dhe të prodhojë.

Secila qeveri e ka trashëguar këtë problem dhe ka zgjedhur të shtyjë vendimin. Asnjë nuk ka gjetur rrugëdalje.

Burimet e ripërtërishme si dekor i strategjive

Historia e targeteve të energjisë së ripërtërishme të Kosovës është shembulli më i pastër i planifikimit pa baza reale.

Strategjia 2009–2018 vendosi 7% burime të ripërtërishme deri në 2016. Kosova arriti rreth 6.3% në 2021 dhe pothuajse e gjitha vinte nga biomasa dhe druri për ngrohje, jo nga era ose dielli. Targeti ishte i rremë.

Strategjia 2017–2026 ngriti ambicien në 25% deri në 2020, moment kur kostot e energjisë së ripërtërishme po binin shpejt ndërkombëtarisht. Deri në 2020, Kosova kishte komisionuar disa hidrocentrale të vogla. Prodhimi nga burimet e ripërtëritshme nuk shkoi përtej 6%. Targeti 25% mbetet vetëm objektiv në letër.

Energjia hidrike ka qenë pjesë e çdo strategjie, hidrocentrali i Zhurit e ato të Drinit të Bardhë, projekte të shumta të planifikuara në detaje. Strategjia 2022 i braktisi të gjitha, duke cituar shqetësimet mjedisore dhe kundërshtimin e komuniteteve, ngase planifikimet ishin ba ka konsultime e pa marr për bazë ndikimet mjedisore.

Vakumi i energjisë së ripërtërishme ka qenë dhe mbetet mungesë e kornizave rregullatore, e procedurave të tejzgjatura, e kontratave të furnizimit me energji (PPA) dhe e kapacitetit prokurues të institucioneve. Çdo strategji i ka caktuar targetet, por asnjë nuk ka ndërtuar mekanizmat për t’i arritur ato.

Humbjet dhe efiçienca

Në fillim të viteve 2000, humbjet e grumbulluara të energjisë elektrike, kombinim i humbjeve teknike në rrjet dhe humbjeve komerciale nga vjedhja, konsumi i pafaturuar dhe faturat e papaguara, arrinin 42 deri 43 përqind të prodhimit total. Kosova humbiste pothuajse gjysmën e rrymës që prodhonte.

Kur të kesh humbje 42%, investimi i parë i arsyeshëm do të ishte reduktimi i tyre, jo ndërtimi i centraleve të reja. Por as ky investim nuk u bë në kohë.

Deri në vitin 2022, humbjet u ulën në 22.64%: 12.21% teknike dhe 10.42% komerciale. Ky është progres real, i arritur kryesisht falë privatizimit të KEDS-it në vitin 2013, i cili solli incentiva komerciale për faturim dhe mbledhje. Por 22.64% mbetet shumë larg standardeve evropiane. Dhe mbi 10% e prodhimit thjesht nuk paguhet, pasqyrë e sfidave të thella institucionale.

Aty ku strategjia dha rezultate: interkoneksioni me Shqipërinë

Midis të gjitha premtimeve të paplotësuara, ekziston një sukses i vërtetë: ndërtimi i linjës 400 kV të tensionit të lartë me Shqipërinë, investim prej rreth €34 milionësh, i realizuar deri në vitin 2011. Kjo ka qenë arritja më e rëndësishme infrastrukturore e periudhës 2009–2018. I dha Kosovës një rrugë fizike për importin dhe eksportin e energjisë jashtë sistemit vendor. Kulmi i këtij procesi ishte krijimi i ALPEX, Albanian Power Exchange, platformë e përbashkët e tregtimit të energjisë elektrike, e lansuar më 11 prill 2023. 

Pse dështojnë strategjitë?

Dështimi i strategjive energjetike të Kosovës për t’u kthyer në investime reale nuk është vetëm problem i dizajnit të dobët të dokumenteve. Dështimi është strukturor.

Strategjia 2017–2026 parashikonte 3.06 miliardë euro investime, shifër që i afrohej PBB-së vjetore të Kosovës. Asnjë plan real financimi nuk ekzistonte. Strategjitë janë shkruar si lista dëshirash pa analizë të rreptë se kush do ti financonte, nën çfarë kushtesh dhe çfarë veprimesh qeveritare kërkohen.

Strategjia 2022–2031 përfaqëson ndryshimin më të rëndësishëm strategjik në historinë e politikëbërjes energjetike të Kosovës. Për herë të parë, asnjë plan zyrtar nuk përfshin ndërtimin e centralit të ri me linjit. Kosova u zotua për dalje nga qymyri deri në vitin 2050. Targetet 600 MW erë dhe 600 MW diell deri në 2031, 35% burime të ripërtërishme, janë numra të besueshëm teknikisht, duke marrë parasysh kostot aktuale të teknologjisë.

Por pyetja është nëse këtë herë Kosova do ta mbyllë hendekun midis planifikimit dhe realizimit? Një vlerësim afatmesëm i kësaj strategjie tregon se edhe kjo strategji do ta ketë fatin e startegjive paraprake, sidomos në arritjen e targeteve të eficiencës së energjisë dhe prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Zgjidhjet e propozuara nga jashtë

Duke parë se qeveritë e njëpasnjëshe të Kosovës nuk po arrijnë të krijojnë stabilitet energjetik, përgjatë këtyre dekadave kanë ardhur propozime të ndryshme nga jashtë.

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri ishte projekt i shtyrë kryesisht nga kompani dhe qeveri të huaja.

Duke parë pavendosmërinë e Kosovës për të mbyllur termocentralin Kosova A, kancelarja gjermane Angela Merkel i kishte propozuar kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa një investim për rivitalizimin e këtij termocentrali.

Disa vite më vonë, SHBA propozoi ndërtimin e infrastrukturës së gazit, projekt i cili me insistim të qeverisë Kurti 2 u zëvendësua me projektin e baterive, por që është rikthyer në diskutim sërish muajve të fundit.

Dhe sërish, të gjitha propozimet për investime të huaja na gjejnë të papërgaditur, ngase në mungesë të një vizioni të qartë energjetik, të tjerët të propozojnë vizionin e tyre.