Inflacioni në Kosovë arrin në 6 për qind

Inflacioni në Kosovë ka arritur në 6 për qind gjatë muajit qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga transporti, energjia dhe kostot e strehimit, ndërsa në baza mujore është regjistruar një rënie e lehtë e nivelit të përgjithshëm të çmimeve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ishte mesatarisht 6,0 për qind më i lartë në qershor 2026 sesa në qershor 2025.

Në rritjen vjetore të inflacionit ndikimin më të madh e kanë pasur çmimet e transportit, të cilat janë rritur për 13,7 për qind. Pas tyre renditen strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,1 për qind, pije alkoolike, duhan dhe narkotikë me 5,1 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4,5 për qind, si dhe shëndetësia me 4,1 për qind.

LEXO MË SHUMË:

A e dini dallimin mes inflacionit të përgjithshëm dhe inflacionit bazë?

Rritje është shënuar edhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3,9 për qind, te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 3,2 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3 për qind, veshjet dhe këpucët me 2,3 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 2 për qind, si dhe informacioni dhe komunikimi me 0,2 për qind.

Në anën tjetër, ulje vjetore e çmimeve është evidentuar vetëm në grupin e shërbimeve arsimore, ku çmimet ranë me 0,6 për qind.

Ndërkaq, në krahasim me muajin maj, niveli i përgjithshëm i çmimeve ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,1 për qind.

Sipas ASK-së, kjo rënie mujore është ndikuar kryesisht nga çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat ranë për 0,6 për qind, si dhe nga grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, ku u regjistrua një ulje prej 0,3 për qind.

Gjithashtu, gjatë muajit qershor 2026 janë shtrenjtuar shërbimet dhe produktet edhe në disa kategori, përfshirë rekreacionin, sportin dhe kulturën (0,8 për qind), shërbimet arsimore (0,5 për qind), kujdesin personal dhe mbrojtjen sociale (0,4 për qind), transportin (0,3 për qind), pijet alkoolike dhe duhanin (0,2 për qind), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (0,2 për qind), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0,2 për qind), si dhe veshjet, këpucët dhe shëndetësinë, të cilat shënuan rritje prej 0,1 për qind. /Buletini Ekonomik/