A ka Kosova rregulla të qarta për produktet e qumështit?

Në javët e fundit në Kosovë është hapur një debat mbi rregullat dhe kontrollet për përbërjen dhe cilësinë e produkteve të qumështit, duke nxitur fërkime mes institucioneve dhe prodhuesve.

Edhe pse Kosova e ka Ligjin për Ushqimin, tani për tani nuk e ka një rregullore të posaçme që rregullon etiketimin, prezantimin dhe reklamimin e produkteve ushqimore, përkatësisht atyre të qumështit.

Reklama e sponzorizuar

Një akt i tillë nënligjor do të përcaktonte më qartë kriteret për emërtimin dhe përbërjen e produkteve të qumështit, si dhe mënyrën se si ato prezantohen para konsumatorëve në tregjet vendore.

Rregullorja e mëparshme, e nxjerrë në vitin 2013, u shfuqizua në vitin 2021, së bashku me një sërë aktesh të tjera nënligjore.

Që prej atëherë, disa aspekte të kësaj fushe mbështeten në dispozitat e përgjithshme të legjislacionit për ushqimin dhe në akte të tjera përkatëse, ndërsa rregullat specifike për produktet e qumështit mbeten të papërcaktuara në një dokument të vetëm.

Çfarë rregullash ka Kosova saktësisht për produktet e qumështit?

Kosova ka Ligjin për Ushqimin, i cili kërkon që produktet ushqimore të jenë të sigurta dhe të etiketohen qartë.

Kompanitë rrezikojnë gjobë deri në 20.000 euro nëse dënohen për shkelje.

Megjithatë, prej vitit 2021 nuk ka një rregullore të veçantë që përcakton se kur një produkt mund të quhet “qumësht”, “djathë” apo “gjalpë”, dhe si duhet të deklarohet përbërja e tij.

Muhamet Kamberi, ligjërues i legjislacionit dhe menaxhimit të cilësisë së ushqimeve në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një rregullore e re do t’i përcaktonte hollësitë teknike që ligji nuk i specifikon.

“Përmbajtja e rregullores apo udhëzimit administrativ e tejkalon shumëfish përmbajtjen e ligjit, sepse ligji është i bazuar në Kushtetutë dhe është për t’i vendosur shtyllat themelore se si duhet të rregullohet një çështje. Hollësitë specifike definohen nga rregullorja”, thotë ai.

Çështjet që lidhen me sigurinë e ushqimit dhe etiketimin e produkteve ushqimore rregullohen kryesisht nga Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ndërsa aspektet e mbrojtjes së konsumatorit mbeten në përgjegjësinë e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.

Ministria e Bujqësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse po punon për të sjellë rregullore të re.

Në mungesë të një rregulloreje, autoritetet kanë përdorur Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit për të kryer kontrolle dhe inspektime, si dhe për t’u bërë thirrje kompanive të paraqesin qartë përbërjen dhe përmbajtjen e produkteve.

Një thirrje të tillë e bëri Ministria e Tregtisë në maj, kur iu drejtua operatorëve ekonomikë dhe dyqaneve ta paraqesin qartë, në mënyrë të lexueshme dhe të dukshme përbërjen e produkteve të qumështit në veçanti.

LEXO EDHE:

Shoqata e Qumështoreve kërkon ndalimin e vajit të palmës: Po dëmtohen fermerët dhe qytetarët

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit konfirmon për REL-in se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka kryer 22 inspektime dhe 9 riinspektime rishtazi në subjektet ekonomike, për respektimin e kërkesave ligjore lidhur me vendosjen, ndarjen dhe informimin e konsumatorëve për produktet e qumështit.

“Operatorët ekonomikë janë obliguar për marrjen e masave për eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe për respektimin e kërkesave ligjore, përfshirë ndarjen fizike të produkteve të qumështit me origjinë shtazore nga ato me origjinë bimore gjatë vendosjes për shitje”, thekson ky departament.

Ai bën të ditur se një operator ekonomik është dënuar me gjobë për mosrespektim të kërkesave të përcaktuara, por pa dhënë më shumë hollësi.

Qumësht i disa kompanive, vendore dhe të huaja, shihen në raftet e një dyqani në Kosovë.
Qumësht i disa kompanive, vendore dhe të huaja, shihen në raftet e një dyqani në Kosovë.

A përcakton ligji kufi në përdorimin e vajit të palmës?

Nuk ka ndonjë ligj apo rregullore që përcakton se në çfarë mase apo sasie mund të përdoret vaji i palmës në produktet ushqimore, qoftë ato të qumështit apo të tjera.

Legjislacioni në fuqi kërkon vetëm që produktet të jenë të etiketuara saktë dhe të mos e mashtrojnë konsumatorin.

Debati për këtë çështje u intensifikua pasi inspektorët e AUV-it, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën “Vita” në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.

Pas kontrolleve, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se një raport fillestar i AUV-it tregon se kompania “prodhon produkte shtazore të përziera me vaj palme” dhe se analizat laboratorike do ta konfirmojnë këtë.

“Pa asnjë fije dyshimi, qumështorja ‘Vita’ prodhon qumësht të përzier me vaj palme dhe të gjitha… Nuk i ka produkte 100 për qind qumësht”, tha Muja në emisionin televiziv “Pressing” në T7.

Teksa priten rezultatet përfundimtare, kompania pezulloi përkohësisht punën.

Qumësht në një supermarket në Romë të Italisë.
Qumësht në një supermarket në Romë të Italisë.

Si krahasohet Kosova me BE-në?

Ndryshe nga Kosova, Bashkimi Evropian ka legjislacion për ushqimin ku shpjegohet hollësisht se si duhet të mbrohen dhe kontrollohen produktet e qumështit.

Ai thotë se produkti i qumështit nënkupton një produkt që rrjedh ekskluzivisht nga qumështi, dhe se mund të shtohen substanca të nevojshme për prodhim vetëm me kusht që ato substanca të mos përdoren për të zëvendësuar – tërësisht ose pjesërisht – ndonjë përbërës të qumështit.

Rregullorja e bllokut e vitit 2013 përcakton çka quhet qumësht dhe i mbron emërtimet e produkteve të qumështit me origjinë të pastër shtazore, si: qumështi, ajka, gjalpi, djathi etj.

Në përgjithësi, produktet me bazë bimore nuk mund t’i përdorin këto emërtime.

Rregullorja, po ashtu, përcakton se të gjithë përbërësit duhet të deklarohen në etiketë, të renditen sipas peshës, nga ai me përmbajtjen më të madhe tek ai me më të voglën, si dhe të identifikohen me emrin e tyre specifik.

Kamberi thotë se Kosova e ka tejzgjatur procesin e përafrimit të legjislacionit të saj me atë të BE-së. /REL/