Trusti shënon rekord, 312 milionë euro kthim bruto nga investimet për gjashtë muaj

Trusti (fotografi ilustruese)

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka regjistruar nivelin më të lartë të kthimit bruto nga investimet për një periudhë gjashtëmujore, duke arritur rreth 312 milionë euro gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, ky është rekordi i kthimit bruto nga investimet në një gjysmë viti që nga themelimi i fondit.

Tabela e publikuar nga Trusti

Po ashtu, të dhënat tregojnë se kthimet bruto nga investimet kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023 ato arritën në 88 milionë euro, në vitin 2024 u rritën në 247 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2025 kapën vlerën e 309 milionë eurove.

Kur llogaritet edhe kthimi bruto prej rreth 312 milionë eurosh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, rezulton se Trusti ka akumuluar gjithsej rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet për periudhën 1 janar 2023 deri më 30 qershor 2026.

Sipas Trustit, ky rezultat pasqyron performancën pozitive të investimeve të fondit gjatë kësaj periudhe dhe shënon një tjetër rekord në menaxhimin e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/