Përfundojnë korrje-shirjet e grurit në Rrafshin e Dukagjinit

Në Rrafshin e Dukagjinit kanë përfunduar praktikisht korrje-shirjet e sivjetshme të grurit. Në të gjitha komunat e këtij rajoni, si në zonat fushore ashtu edhe në ato me lartësi mesatare, fermerët tashmë kanë përmbyllur korrjen e kësaj kulture.

Gjatë fundjavës, më 11 dhe 12 korrik, në grunajat e Dukagjinit kishin mbetur aty-këtu vetëm duajt e kashtës, ndërsa bujqit mblidhnin edhe duajt e fundit të lëna pas nga autokombajnat.

Pas përfundimit të korrje-shirjeve në rajonin e Dukagjinit, fushata tashmë është në kulmin e saj në Rrafshin e Kosovës, ku autokombajnat po punojnë me intensitet. Nëse kushtet atmosferike mbeten të favorshme dhe nuk ka reshje shiu, fermerët pritet ta përmbyllin korrjen deri në fund të korrikut, ndërsa në disa zona procesi mund të zgjasë deri në javën e parë të gushtit.

Në Dukagjin, për shkak të kushteve më të favorshme klimatike, vegjetacioni i drithërave të bardha, përfshirë grurin, është rreth 10 deri në 15 ditë më i hershëm krahasuar me pjesët e tjera të vendit. Si rrjedhojë, edhe korrja e grurit nis më herët në këtë rajon.

Edhe sivjet, rendimentet e grurit në Dukagjin kanë qenë mjaft të mira, ndërsa edhe cilësia e tij vlerësohet shumë e mirë, me peshë hektolitrike të lartë dhe parametra që plotësojnë standardet për prodhimin e miellit cilësor.

Rezultatet në terren konfirmojnë në masë të madhe edhe vlerësimet që profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Imer Rusinovci, kishte dhënë më herët për Buletinin Ekonomik. Sipas tij, rendimentet e grurit këtë vit janë të kënaqshme, duke u luhatur në shumicën e parcelave nga 4.5 deri në 5.5 tonë për hektar, ndërsa në raste të veçanta kanë arritur edhe në 6 deri në 7 tonë për hektar.

Megjithëse rendimentet janë të kënaqshme, prodhimi vendor edhe sivjet nuk pritet t’i mbulojë plotësisht nevojat e konsumit në Kosovë, prandaj një pjesë e kërkesës do të vazhdojë të plotësohet përmes importit.

Ndërkaq, përkundër rendimenteve të mira, fermerët vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për çmimin e grumbullimit të grurit. Sipas Rusinovcit, këtë vit gruri po grumbullohet me rreth 18 centë për kilogram, krahasuar me 19 centë sa ishte çmimi vitin e kaluar, ndonëse kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm.

MË SHUMË:

Çmimi i grumbullimit të grurit sivjet vetëm 18 centë

Ai kishte vlerësuar se kultivimi i një hektari grurë, që në vitet e kaluara kushtonte rreth 700 deri në 800 euro, sivjet ka kaluar mbi 1 mijë euro për shkak të shtrenjtimit të naftës, plehrave artificiale, farës së certifikuar dhe inputeve të tjera bujqësore. Kjo, sipas tij, ka ngushtuar ndjeshëm fitimin e fermerëve, pavarësisht rendimenteve të kënaqshme.

Ndërkohë, teksa korrje-shirjet kanë hyrë në fazën përfundimtare në Dukagjin dhe vazhdojnë me intensitet në Rrafshin e Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti vizitoi fermerët në Komunën e Podujevës, ku pa nga afër ecurinë e fushatës së korrje-shirjeve në Rrafshin e Kosovës.

Sipas tij, sivjet në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë me grurë. Duke u bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, ai tha se priten rendimente mesatare prej 4 deri në 5 tonësh për hektar, ndërsa procesi i korrje-shirjeve pritet të përfundojë deri në fund të korrikut, ose në javën e parë të gushtit në disa zona, në rast të reshjeve.

Kryeministri rikujtoi gjithashtu se paketa e subvencioneve për vitin 2026 përfshin mbështetje shtesë për fermerët, përfshirë 100 euro për hektarin e parë të çdo ferme, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.

Me përfundimin e korrjeve në Dukagjin dhe vazhdimin e tyre në pjesët e tjera të vendit, pritet që brenda javëve të ardhshme të krijohet një pasqyrë më e plotë për prodhimin e sivjetshëm të grurit dhe nivelin e vetëfurnizimit të Kosovës me këtë kulturë strategjike. /Buletini Ekonomik/