Më 21 korrik mbahet ankandi i pestë i letrave me vlerë për vitin 2026

Foto nga Ministria e Financave (ilustrim)

Ministria e Financave ka njoftuar se më 21 korrik 2026 do të organizojë ankandin e pestë të letrave me vlerë për këtë vit, në kuadër të programit të financimit përmes tregut të brendshëm.

Sipas njoftimit, në këtë ankand do të emetohen obligacione shtetërore me maturitet trevjeçar, në vlerë totale prej 20 milionë euro.

Ministria thekson se investimi në obligacionet shtetërore konsiderohet një investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. Interesi përcaktohet nga tregu dhe u garantohet investitorëve gjatë gjithë periudhës trevjeçare të maturimit, ndërsa të ardhurat nga interesi janë të përjashtuara nga tatimi.

Për të gjithë qytetarët dhe investitorët e interesuar për pjesëmarrje në ankand, Ministria e Financave rekomandon që të kontaktojnë njërën nga bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës, për të marrë informacionet dhe procedurat e nevojshme për blerjen e letrave me vlerë.

Ankandet e letrave me vlerë janë një nga mekanizmat që Qeveria e Kosovës përdor për sigurimin e financimit në tregun e brendshëm, duke u ofruar njëkohësisht investitorëve mundësi për investime me rrezik të ulët.