Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se tashmë e ka adresuar te autoritetet kompetente rastin që lidhet me procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike, përveç procedurave të brendshme disiplinore që tashmë janë iniciuar ndaj dy zyrtarëve të Divizionit të Tregtimit me Energji Elektrike.
Sipas KEK-ut, ky veprim është ndërmarrë me qëllim të “zbardhjes së plotë dhe objektive të rastit”, duke theksuar se përgjegjësia eventuale individuale mund të përcaktohet vetëm përmes procedurave të rregullta disiplinore dhe nga organet kompetente.
Ky reagim vjen pas hulumtimit të sotëm të Buletinit Ekonomik, ku u publikuan komunikime të brendshme që, sipas hulumtimit, tregojnë se Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut dhe drejtori i Divizionit të Tregtimit me Energji Elektrike ishin në dijeni të plotë të procesit të organizimit të ankandeve për shitjen e tepricave të energjisë elektrike.
Megjithatë, hulumtimi nuk ka pretenduar se ata kanë miratuar, urdhëruar apo kryer ndonjë shkelje gjatë këtij procesi, por ka raportuar se komunikimet e brendshme dëshmojnë se ata ishin të informuar për zhvillimin e ankandeve.
Hulumtimi në fjalë:
Në reagimin e saj, KEK i ka hedhur poshtë interpretimet e paraqitura në artikull, duke theksuar se procesi i tregtimit të energjisë elektrike është i rregulluar me procedura të brendshme, se përgjegjësitë operative janë të përcaktuara qartë dhe se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka rol aprovues në shitblerjen afatshkurtër të energjisë elektrike, por Drejtori i njësisë.
Në reagim, KEK pretendon gjithashtu se artikulli i Buletinit Ekonomik është mbështetur në “deklarime emocionale, interpretime të pjesshme dhe pretendime të pabazuara”. Korporata i referohet edhe deklarimeve të ish-zyrtarit të suspenduar, Hasan Kerolli, duke i cilësuar ato si “deklarime emocionale individuale”. Megjithatë, hulumtimi i Buletinit Ekonomik nuk është bazuar vetëm në deklaratat e Kerollit, por edhe në analizën e qindra ankandeve, dokumente të brendshme të KEK-ut, komunikime elektronike dhe materiale të tjera të siguruara gjatë një hulumtimi disamujor.
Reagimi i plotë:
Reagim i KEK Sh.A. lidhur me raportimet për procesin e tregtimit të tepricave të energjisë elektrike
Publikimi i artikullit nga “Buletini Ekonomik”, i marrë më pas edhe nga disa media të tjera, po dëmton procesin institucional të zbardhjes së rastit, duke u mbështetur në deklarime emocionale, interpretime të pjesshme dhe pretendime të pabazuara. Për më tepër, deklarimet e paautorizuara, e aq më tepër të pabazuara, për çështje që janë objekt i procedurës së brendshme disiplinore, përbëjnë shkelje të detyrave dhe përgjegjësive të punës.
Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. sqaron për opinionin se procesi i tregtimit të energjisë elektrike në Korporatë nuk zhvillohet në mënyrë arbitrare dhe nuk varet nga vullneti individual i asnjë zyrtari jashtë përgjegjësive të përcaktuara. Ky proces është i rregulluar qartë me akt të brendshëm, përkatësisht me “Procedurën për tregtimin e energjisë elektrike”, nr. 8071/1, e cila përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe rrjedhën institucionale të këtij procesi.
Për më tepër, kjo procedurë është hartuar në zbatim të pikës 2 të nenit 2 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë Elektrike të hartuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës – KOSTT, në përputhje me nenin 22 të Ligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRRE.
Në procedurën e brendshme të KEK-ut, përkatësisht në nenin 18 –
Rekomandimi dhe aprovimi, përcaktohet qartë se:
-
pas përfundimit të procesit të tregtimit, personi i autorizuar për tregtim i dërgon rezultatet për konfirmimin e ofertave/kontratave individuale tek drejtori i njësisë së tregtimit;
-
drejtori i njësisë aprovon ose refuzon me shkrim shitjen/blerjen afatshkurtër të propozuar.










