Sektori bankar i Kosovës me 2.1 për qind kredi joperformuese

Euro

Raporti i kredive joperformuese për korporatat jofinanciare në vitin 2025 arriti në 2.5 për qind, ndërsa për ekonomitë familjare mbeti në 1.5 për qind. Rritjen më të madhe të ekspozimeve joperformuese në segmentin e korporatave jofinanciare e shënoi sektori i tregtisë. Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huatë me probleme atje përbënin 3.77 për qind të totalit të portofolit të kredisë në fund të muajit maj në sektorin bankar shqiptar.

Buletini Ekonomik

Gjatë vitit të kaluar, sipas Raportit 2025 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sektori bankar në vend demonstroi stabilitet dhe qëndrueshmëri. Treguesit kryesorë të shëndetit financiar mbetën mbi nivelet minimale rregullatore, duke reflektuar kapacitete të mjaftueshme për përballimin e goditjeve të mundshme makroekonomike dhe financiare.

Në kuadër të këtyre treguesve, raporti i kredive joperformuese (kredive të këqija) rezultoi 2.1 për qind, duke shënuar rritje prej 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me vitin paraprak. Sipas Raportit të BQK-së, kjo rritje pasqyron ritmin më të lartë të rritjes së kredive joperformuese në raport me rritjen e ngadalësuar të portofolit të përgjithshëm të kredive.

Norma e kredive joperformuese për segmentin e korporatave jofinanciare u rrit me 0.3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin paraprak, ndërsa për segmentin e ekonomive familjare mbeti në të njëjtin nivel. Më konkretisht, raporti i kredive joperformuese për korporatat jofinanciare arriti në 2.5 për qind, ndërsa për ekonomitë familjare mbeti në 1.5 për qind.

Ekonomitë familjare ngadalësuan ritmin e rritjes së ekspozimeve joperformuese në 17.5 për qind, nga 34.4 për qind një vit më parë. Ndërkohë, segmenti i korporatave jofinanciare përshpejtoi ritmin e rritjes së ekspozimeve joperformuese, duke shënuar rritje vjetore prej 26.6 për qind, nga 6.5 për qind sa ishte një vit më parë.

Rritjen më të madhe të ekspozimeve joperformuese në segmentin e korporatave jofinanciare e shënoi sektori i tregtisë, ku niveli i kredive joperformuese u rrit me 0.8 pikë përqindjeje, duke arritur në 2.3 për qind. Megjithatë, kjo rritje, sipas BQK-së, është ndikuar kryesisht nga zhvillime specifike në një institucion dhe nuk paraqet dinamikën e përgjithshme të sektorit.

MË SHUMË:

Qytetarët e Kosovës kanë 528 milionë euro kredi aktive në institucionet mikrofinanciare

 

Reklama e sponzorizuar

Rritje të raportit të kredive joperformuese shënuan edhe sektori i ndërtimtarisë dhe patundshmërive, si dhe sektori i komunikimit, duke arritur përkatësisht në 2.7 për qind nga 2.6 për qind dhe në 2.8 për qind nga 1.7 për qind.

Në anën tjetër, për sektorin e bujqësisë dhe atë të prodhimtarisë, raporti i kredive joperformuese shënoi rënie si rezultat i rritjes më të shpejtë të kreditimit në raport me rritjen e kredive joperformuese. Përkatësisht, raporti u ul në 6.4 për qind nga 6.6 për qind në sektorin e bujqësisë dhe në 2.6 për qind nga 2.9 për qind në sektorin e prodhimtarisë.

Vlera e kredive joperformuese në Kosovë ka mbetur pothuajse e njëjtë ndër vite, me dallime të vogla. Në vitin 2021 ato ishin 2.3 për qind, në vitin 2022 arritën në 2.1 për qind, ndërsa në vitin 2025 mbetën po në nivelin 2.1 për qind.

Sipas ekspertëve të zhvillimeve bankare, niveli i kredive të këqija vazhdon të mbetet i ulët dhe bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, pavarësisht rritjes së numrit të kredive të lëshuara, përballen vetëm në raste të rralla me kredi joperformuese. Këto të dhëna dëshmojnë se, edhe përkundër nivelit të lartë të inflacionit në vend, qytetarët e Kosovës kanë qenë të përgjegjshëm në shlyerjen e kredive bankare.

Të dhënat e paraqitura në Raportin 2025 të BQK-së tregojnë se kreditë e këqija, të cilat bankat komerciale i kanë përdorur vazhdimisht si argument për aplikimin e normave më të larta të interesit në rajon për të gjitha llojet e kredive, nuk kanë paraqitur në asnjë rast dhe në asnjë vit rrezik serioz për afarizmin bankar në Kosovë.

Kredimarrësit kosovarë janë dëshmuar vazhdimisht të disiplinuar në përmbushjen e obligimeve të tyre bankare dhe, pothuajse gjithmonë, i kanë shlyer ato me përpikëri. Sipas këtij vlerësimi, ata nuk kanë qenë asnjëherë rrezik për bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Për rrjedhojë, bankat, por edhe BQK-ja, sipas autorit, i kanë paraqitur kreditë e këqija si argument dhe parakusht për aplikimin e normave të larta të interesit për kredimarrje.

Edhe të dhënat krahasuese të Nismës së Vjenës (projekt i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) për vitet 2023 dhe 2024 tregojnë se Kosova kishte nivelin më të ulët të kredive joperformuese në rajon, me 2.5 për qind. Pas Kosovës renditej Maqedonia e Veriut me 2.7 për qind, Serbia me 3.2 për qind, Bosnja dhe Hercegovina me 3.8 për qind, ndërsa në Shqipëri, pavarësisht tendencës pozitive të viteve të fundit, raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2023 ishte ndër më të lartët në rajon, pas Malit të Zi.

Raporti i kredive me probleme në Shqipëri, në muajin maj të këtij viti, mbeti pothuajse në të njëjtin nivel si në vitin 2023, duke shënuar një rritje të lehtë pas zbritjes në nivelin më të ulët të 18 viteve në muajin prill.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huatë me probleme përbënin 3.77 për qind të totalit të portofolit të kredisë në fund të muajit maj, nga 3.75 për qind një muaj më parë. Megjithatë, ky tregues mbetet pranë nivelit më të ulët të regjistruar që nga viti 2008.

Edhe pse në baza mujore u shënua një rritje e lehtë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar. Në fund të muajit maj 2025, raporti i kredive me probleme në Shqipëri ishte 4.12 për qind, ose 0.35 pikë përqindjeje më i lartë se niveli aktual.