Qiratë në Gjermani rriten ndjeshëm, oferta e banesave bie

Qiratë dhe banesat në Gjermani
Fotografi ilustruese

Qiratë në Gjermani kanë vazhduar të shtrenjtohen gjatë vitit 2026, ndërsa numri i banesave që ofrohen me qira është zvogëluar në shumë qytete.

Sipas një studimi të Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln (IW), për të cilin ka raportuar Deutsche Welle (DW), qiratë e kërkuara për kontratat e reja gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026 ishin mesatarisht 4 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Rritja më e madhe është regjistruar në qytetet e mëdha jashtë shtatë metropoleve kryesore të Gjermanisë. Në këto qytete, qiratë u rritën mesatarisht me 4.9 për qind.

Në Berlin, Hamburg, Mynih, Këln, Frankfurt, Shtutgart dhe Dyseldorf, rritja mesatare e qirave ishte më e moderuar, me 2.9 për qind. Megjithatë, të dhënat tregojnë dallime të mëdha ndërmjet qyteteve.

Këlni regjistroi rritjen më të lartë, me 7.9 për qind, ndërsa në Hamburg qiratë u shtrenjtuan me 5.5 për qind. Rritje më të ulëta u regjistruan në Berlin, me 1 për qind, dhe në Shtutgart, me 0.9 për qind.

Zvogëlohet oferta e banesave me qira

Krahas rritjes së çmimeve, tregu gjerman po përballet edhe me mungesë të banesave që ofrohen me qira.

Numri i shpalljeve për banesa me qira në nivel kombëtar ishte rreth 12 për qind më i ulët sesa në fillim të vitit 2022.

Gjendja është më e theksuar në disa prej qyteteve të mëdha. Në Hamburg, oferta e banesave me qira është përgjysmuar, ndërsa në Frankfurt numri i shpalljeve ka rënë me rreth 43 për qind.

Ekonomisti i pasurive të paluajtshme në IW, Pekka Sagner, vlerëson se shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë në banesa që nuk u përshtaten më nevojave të tyre. Sipas tij, ata nuk dëshirojnë të largohen, sepse do të humbnin kontratat ekzistuese me kushte më të favorshme.
Kjo situatë e kufizon qarkullimin e banesave në treg dhe e shton më tej presionin mbi qiratë.

Çmimet e pronave rriten më ngadalë

Ndryshe nga tregu i qirave, çmimet për blerjen e banesave dhe shtëpive kanë shënuar rritje më të moderuar.

Në nivel kombëtar, çmimet e apartamenteve në pronësi dhe të shtëpive për një ose dy familje u rritën me nga 0.8 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Edhe në tregun e shitblerjes janë regjistruar dallime të konsiderueshme ndërmjet qyteteve. Në Dortmund, çmimet e pronave u rritën me 5 për qind, ndërsa në Mynih ranë me 1.9 për qind.

Të dhënat tregojnë se presioni mbetet dukshëm më i lartë në tregun e qirave, ku rritja e çmimeve po shoqërohet me rënie të ofertës.

Burimi: Deutsche Welle (DW). 

Lexo edhe: Qiratë në qendrat e qyteteve evropiane – Si kanë ndryshuar çmimet që nga viti 2020?