Në Ministrinë e Diasporës, emri i saj ende figuron si Ushtruese e Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm.
Por, Shyhrete Gosalci, në një njoftim të publikuar të martën, ka dalë si kandidate e suksesshme për një tjetër pozitë të lartë brenda kësaj ministrie. Ajo është përzgjedhur si Udhëheqëse e Divizionit për Promovimin e Investimeve Strategjike.
Ish-kandidatja për deputete e Nismës në zgjedhjet e vitit 2014, Gosalci, është kontaktuar nga KTV-ja përmes telefonit dhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë, por e ka çaktivizuar telefonin më vonë për të mos u lajmëruar.
Pa përgjigje kanë mbetur edhe një sërë pyetjesh që janë dërguar në drejtim të Ministrisë, që udhëhiqet nga Dardan Gashi, i porsaaderuar në partinë e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate.
Ajo çka bie në sy në këtë Ministri është edhe numri i madh i procedurave të rekrutimit vetëm ditëve të fundit.
Vetëm në 48 orët e fundit, 10 njoftime për kandidatë të suksesshëm e shpallje për pozita të reja, janë publikuar në vegëzën e konkurseve të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Ngjashëm, Koha Ditore, këtë të mërkurë, raportoi se në Ministrinë e Kulturës, brenda 10 ditëve, ishin hapur 15 konkurse pune, duke e vazhduar trendin e punësimeve në prag të zgjedhjeve.