Edhe ky dimër, Presidentin Hashim Thaçi pritet ta zërë në “strofullogun” e vjetër. Objekti i ish-Komitetit, në të cilin është planifikuar të zhvendoset Presidenca, nuk është liruar ende nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës. Në MAP deklarojnë se po e presin lirimin e objektit për të filluar me renovim e Komuna e Prishtinës thotë se kanë dhënë leje për të nisur punët.
Presidenca e Kosovës e ka në plan ta ndërrojë objektin. Presidenti Hashim Thaçi bashkë me stafin e tij pritet të vendosen në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës.
Por, për t’u vendosur aty stafi i Presidencës, fillimisht duhet të largohen të dy ministritë dhe më pas të bëhet renovimi i objektit.
E një gjë e tillë pritet të marrë goxha kohë. Madje, nëse punët vazhdojnë me këtë ritëm, Thaçi duket se do të mbesë në zyrën e vjetër edhe këtë dimër.
Në Ministrinë e Administratës Publike deklarojnë se po presin lirimin e objektit për të filluar me renovim.
Zëdhënësi për media në MAP, Zeqir Bekolli, i ka thënë Gazetës Express se tashmë kanë aplikuar për leje lidhur me renovimin e këtij objekti.
“MAP-i ka aplikuar në komunën e Prishtinës për leje. Në momentin kur ministritë e lirojnë objektin, MAP-i nis punën për meremetimin dhe adaptimin e ndërtesës për nevojat e Presidencës”, ka thënë Bekolli.
Ndërkohë, në Komunën e Prishtinës thonë se MAP’i tashmë është pajisur me këtë leje.
“Ministria e Administratës Publike ka aplikuar dhe është pajisur me leje përkatëse për renovimin e ndërtesës se ish-Komitetit sipas dispozitave ligjore ne fuqi”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Medie drejtuar Gazetës Express.
Kërkesat për lirim të objekteve u janë dërguar për të disatën herë të dy ministrive. Por, pavarësisht këtyre kërkesave, objekti nuk është liruar ende.
Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se kërkesën e fundit për lirim të objektit e kanë pranuar para tri ditësh.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, më datë 29 tetor 2019 ka pranuar kërkesën e fundit nga Ministria e Administratës Publike për lirimin e objektit, në të cilin aktualisht është i vendosur stafi i MBPZhR-së”, kanë thënë nga kjo ministri për Express.
Deklarojnë se në objektin e ri do të zhvendosen brenda 10 ditësh.
“Zhvendosja në objekt të ri pritet të bëhet brenda 10 ditëve. Ndërkaq, të gjitha procedurat rreth zhvendosjes janë duke u zhvilluar nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike”, thuhet në përgjigjet e MBPZHR’së.
Por, se kur do ta lirojë objektin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk po e di as udhëheqësi i saj.
Ministri në detyrë, Kujtim Gashi i ka thënë Gazetës Express se kjo procedurë ka filluar para disa muajsh, por se ende nuk e di se kur do të zhvendosen prej aty. Thotë se objekti i ri nuk është ende gati.
“Kjo procedurë ka filluar para disa mujsh. Tani nuk po e di kur do ta lirojmë objektin meqë edhe vendimmarrja po është më e zbehtë. Objekti ku do të vendoset ministria nuk është ende gati”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, Gazeta Express pati raportuar para disa javëve se si pari i shtetit shumë shpejt pritet të bëhet me zyrë të re.
Ideja për ndërtimin e një zyre për Presidentin e Kosovës mund të shkojë përpara në 2 vitet e ardhshme pasi tashmë për të janë ndarë mbi 1 milion e 500 mijë euro.
Zëdhënësi për media në MAP, Zeqir Bekolli i kishte thënë Gazetës Express se për ndërtimin e kësaj zyre deri tash janë ndarë 1 milionë e 500 mijë euro, ku 500 mijë euro pritet të investohen vetëm gjatë këtij viti.
Derisa kishte thënë se ende nuk është caktuar lokacioni ku do të ndërtohet zyra e të parit të shtetit.
“MAP-i e ka në buxhet për vitet 2019-2021, për projektin “ Ndërtimi i ndërtesës se Zyrës së Presidentit “ shumën prej 1,500.000.00€. Për këtë qëllim, MAP-i është në kontakt të përhershëm me Zyrën e Presidentit dhe shumë shpejt pritet të vendoset edhe për lokacionin e përshtatshëm ku do të ndërtohet Zyra e Presidentit. Tash për tash janë disa opsione në diskutim”, kishte thënë ai.
Por, më shumë informata për ndërtimin e kësaj zyre nuk kishin dhënë.
“Aktualisht nuk dihet kostoja e saktë e projektit, sepse projekti gjendet në fazën fillestare. Përveç kësaj, nuk dihet edhe kohëzgjatja e projektit”, kishte deklaruar Bekolli.
Ndryshe, kërkesë për t’u zhvendosur në këtë objekt kishte bërë edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga.
Në Presidencë kishin konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit.