Nga IPK-ja janë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente për zyrtarë policorë, teksa sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, rreth 150 zyrtarëve policorë në Kosovë u është ndërprerë kontrata e punës gjatë kësaj periudhe, shkruan sot gazeta zëri.
Në anën tjetër, të dhënat e Policisë tregojnë se nga janari e deri në shtator të këtij viti kontrata e punës u është ndërprerë 150 zyrtarëve policorë. “Numri i punonjësve të PK-së i uniformuar dhe staf civil është afërsisht rreth 9.000, ndërsa numri i atyre që u është ndërprerë kontrata e punës gjatë këtij viti është 150”, bëhet e ditur në përgjigjen e Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës të dhënë për gazetën.
Zyrtarë nga PK-ja për “Zërin” kanë treguar edhe arsyet më të shpeshta, për të cilat ndërpritet kontrata për një zyrtar policor. “Disa nga arsyet e ndërprerjeve të kontratave janë si vijon: Dorëheqje vullnetare; Ndërprerje e marrëdhënies së punës; Pensionim; Vdekje”, bëhet e ditur në përgjigjen e PK-së.//ZERI