Drenas. Greva e paralajmëruar e punëtorëve të “Ferronikelit” do të mbahet të martën në platenë para punëtorisë kryesore, ndonëse menaxhmenti i “Ferronikelit” ka tërhequr vërejtjen për pasojat që punëtorët mund t’i kenë, pasi, sipas menaxhmentit, greva është e paligjshme.
Këshilli Grevist, si dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” i janë përgjigjur menaxhmentit të “Ferronikelit”, të shtunën, duke bërë të ditur se greva do të mbahet të martën, më 12 nëntor, derisa grevën e ka mbështetur edhe BSPK-ja, shkruan sot gazeta Zëri.
“Punëtorët për realizimin e kërkesave sipas procedurave ligjore kanë zgjedhur Organizatën Sindikale e ne si organizatë e kemi obligim ligjor mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Siç potencova edhe më lart, prioritet për realizimin e interesave të punëtorëve i japim dialogut me menaxhmentin, kështu edhe kemi vepruar, për rastin konkret kemi zhvilluar dialog. Nuk kemi gjetur pajtueshmëri për kërkesat tona, andaj kemi kaluar në hapin tjetër të garantuar me ligj dhe kemi shpallur grevën për datën 12.11.2019, siç kemi informuar edhe me shkrim. Menaxhmenti thirret në Nenin 7, por edhe ne thirremi në të njëjtin nen të Ligjit për Greva, me të cilin përcaktohen kriteret.
Sipas menaxhmentit, greva është e kundërligjshme dhe ata thirren në pasojat që mund t’i ketë greva, ndërsa për ne greva është plotësisht e ligjshme dhe e bazuar në Ligjin për Greva dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Interpretimi i këtij Neni nga ana e menaxhmentit është jokorrekt, sepse kërkesa për rritje pagash nuk figuron në këtë Nen, por është specifikuar te kategoria sociale, e pagat hyjnë pikërisht në çështje sociale. Menaxhmenti thotë se pagat e punëtorëve paguhen me rregull, ne nuk kemi paraqitur vërejtje se pagat nuk paguhen me rregull, ne kemi kërkuar rritje të pagave, sepse konsiderojmë se pagat nuk mund të përcaktohen një herë me kontratë e punës e të mos rriten asnjëherë. Për këtë arsye vlerësojmë se jemi në rregull me Ligjin për Grevat dhe se greva do të mbahet të martën, më 12 nëntor”, ka thënë mes tjerash kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Ferronikelit” Fehmi Nika.











