Kosovarët të pestët në dy milionë të huaj që jetojnë në Zvicër

Kosovarët janë në vendin e pestë, ose përbëjnë 5.2% nga masa prej mbi 2 milionë të huajsh në Zvicër. Kjo statistikë nuk e përfshinë kategorinë e shqiptarëve në kuptimin etnik.

Zvicra kalon përfundimisht shifrën prej 8 milionë e gjysmë banorëve. Saktësisht 8.544.527 banorë kanë jetuar në Zvicër në fund të vitit 2018. Pjesëmarrja e banorëve me pasaportë jozvicerane në këtë numër ka qenë 25.1%, më e larta krahasuar me shtetet që e rrethojnë Zvicrën.

Në vitin 1970 në Zvicrën, që numëronte 6.3 milionë banorë, jetonin një milion të huaj, ndërsa në fund të vitit 2018 ishin më shumë se 2 milionë banorë me shtetësi të huaj. Këto dhe shifra të tjera zbulon publikimi “Popullsia e Zvicrës 2018”, i prezantuar sot nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), shkruan albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

Ky publikim merret edhe me përqindjen e të huajve, me moshën mesatare të zviceranëve, moshën kur ata/ato martohen, jetëgjatësinë e rritur dukshëm ndër vite etj.

Sipas BFS, përqindjen më të madhe të të huajve në Zvicër e përbëjnë italianët me 15%. Pak pas tyre, me 14.3% vijnë gjermanët dhe të tretët për nga numri, me 12.3%, janë portugezët. Francezët përbëjnë 6.3% të të huajve në Zvicër, ndërsa shqiptarët e Kosovës janë në vendin e pestë, ose 5.2%. Sikurse edhe më parë, duhet theksuar atë që statistikat zyrtare prej 5.2% kanë të bëjë me shtetasit e Kosovës, pra ata që kanë pasaportë kosovare.

Sigurisht shumica dërmuese e tyre janë shqiptarë të Kosovës, por ka edhe një numër të vogël shtetasish të Kosovës me përkatësi etnike serbe, turke, boshnjake, rome etj.

Nga ana tjetër, statistika nuk e përfshinë kategorinë e shqiptarëve në kuptimin etnik. Është e qartë se po të llogariteshin nga statistika zyrtare, në një kategori të njëjtë të gjithë personat që identifikojnë veten si shqiptarë, shifra do të ishte shumë më e madhe se kjo, dhe përqindja po ashtu.

Publikimi zbulon edhe preferencat martesore të zviceranëve/zviceraneve kur bëhet fjalë për lidhjet me shtetas të huaj. 35% të martesave në Zvicër janë të përziera në kuptim të nacionaliteteve. Në shumicën e rasteve burrat janë zviceranë dhe gratë të huaja.

Po ashtu shumica dërmuese e zviceranëve dhe zviceraneve zgjedhin për bashkëshort një evropian/e.

Pas gjermaneve, që janë favorite për meshkujt zviceranë, vijnë italianet dhe shqiptarët e Kosovës dhe, pas tyre, francezet dhe serbet.

Kur jemi te kosovaret dhe ballkanaset e tjera, duhet përkujtuar një studim të publikuar javë më parë. Ai konstatonte se nuk bëhet fjalë për një preferencë të madhe të zviceranëve për kosovaret, por për faktin se këta “zviceranë” që martohen me kosovare janë në fakt shtetas të Zvicrës me rrënjë nga Kosova.

Publikimi merret edhe me jetëgjatësinë e zviceranëve. Kështu, në vitin 2018, afërsisht gjysma e tyre e kanë arritur moshën mbi 85-vjeçare. Në vitin 1970 këtë moshë e arrinin vetëm 15.4% të zviceranëve, e në vitin 1940 vetëm 6%.