Rama ndan mbi 16 mijë euro për familjet e vëllezërve Abazi që humbën jetën nga tërmeti

Qeveria do të ndajë nga 1 milion lekë të reja familjeve të dy vëllezërve Abazi nga Kosova që humbën jetën në Durrës për shkak të tërmetit.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë ku do të miratohen një sërë aktesh për t’iu ardhur në ndihmë familjeve që humbën të dashurit e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit por edhe ato që mbetën pa shtëpi.

Reklama e sponzorizuar

“Projektvendimi që lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiar të familjeve të viktimave është projektvendimi që ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja për çdo familje dhe patjetër për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milion lekësh të reja nga ky vendim i qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Besoj që jemi dakord”, deklaroi Rama.

Dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit Shemsedin Abazi, 32 vjeç dhe Isah Abazi, 29 vjeç humbën jetën pas shembjes së hotelit “Tropikal” në Durrës.