LDK-ja s’ia jep LVV-së MPB-në – Mustafa thotë “korrupsionin e luftojmë bashkë”

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se me Kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon partisë që ka dalë e para, në këtë rast LVV-së.

“Nëse kemi ndonjë kandidat ne jemi marrë vesh që ta ftojmë atë kandidat në mënyrë që të mos kemi vonesa”, tha ai.

Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mustafa tha se “konsiderojmë këtë se ata dëshirojnë ta zhbëjnë marrëveshjen që e kemi bërë më parë”.

Reklama e sponzorizuar

“Ata kanë të drejtë të propozojnë kë të duan por edhe LDK ka qëndrimin e vet se ne nuk duam të hyjmë në relacion koalicioni me një propozim. Unë mendoj qe një propozim të tillë nuk do ta pranojnë as Vjosa Osmani as të tjerët. Ne e votojmë nëse e propozojnë një kandidat të tyrin por ne u propozojmë kandidatët tanë”, tha ai, raporton KTV.

Mustafa, tha se çështja e presidentit nuk është çështje që është hapur tani, por ekziston prej fillimit të negociatave me LVV-në.

“Çështja e presidentit ka qenë pjesë e marrëveshjes qe është definu me u zgjedh mes bisedimeve të liderëve të të dy partive. Korrupsionin duhet ta luftojmë bashkërisht. Nuk mundemi me nda një ministri për ambicie të një partie. Nëse e shohin këtë si pengesë se drejtorin e policisë në bazë të kushtetutës e zgjedh kryeministri dhe kjo nuk është asnjë pengesë që të mos ketë mekanizma ligjor me luftu. Nuk e shoh arsye që LVV është më e gatshme me luftu korrupsionin e LDK nuk është se edhe ne i kemi marrë 28 deputetë për me luftu korrupsionin e me zhvillu ekonominë qytetarët kanë besu qe e bëjmë këtë”, tha ai.

Dje, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, pas dështimit të marrëveshjes me LDK-në lëshoi një video në facebook duke treguar se pse u bllokuan në marrëveshje.

Kurti, tha se “çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë”.

“Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit”, tha Kurti, transmeton Koha.net.

Mustafa, sot gjithashtu tha se janë të gatshëm prapë të ulen me LVV-në për diskutime.

“Nuk kemi nevojë të përgatisim videon dy tri ditë përpara e një ditë me publiku. Popullin nuk vjen me na e bë qeverinë. Qeverinë duhemi me bë vet sepse ne kemi përgjegjësi. Ne duhet ta përmirësojmë sjelljen. Të kemi parasysh si e zhvillojmë dialogun. Të mos hidhërohemi”, tha Mustafa.