Çmimet e naftës u rritën me 2 për qind menjëherë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kërcënoi të vendosë sanksione ndaj Irakut, nëse trupat amerikane detyrohen të largohen nga vendi.
Këto reagime vijnë menjëherë pasi parlamenti i kësaj të fundit u ka bërë thirrje trupave amerikane që të largohen nga shteti.
“Ne do t’i ngarkojmë me sanksione ekonomike si kurrë më parë. Ne kemi atje një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë. Ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Ne nuk do të largohemi përveç nëse ata na paguajnë për bazën”, u ka thënë Trump gazetarëve në bordin e Air One gjatë rrugës nga Uashingtoni në Florida, përcjell Telegrafi.
Nafta e papërpunuar e markës Brent u rrit në 70.27 dollarë për fuçi gjatë natës, deri në 1.67 dollarë ose 2.4 për qind nga dita e premte, ndërsa nafta WTI shitet për 64.39 dollarë për fuçi, duke u rritur 1.34 dollarë ose 2.1 për qind nga dita e premte.
Çmimet e “arit të zi” kështu rritën fitimet e regjistruara nga dita e premte, kur ato u rritën më shumë se 3 për qind pas vrasjes së komandantit ushtarak iranian Qasem Solemani në një sulm ajror amerikan.
Po ashtu, Trump pas vrasjes së Soleimanit ka paralajmëruar se nëse Irani sulmon ndonjë amerikan, atëherë SHBA do t’i kundërpërgjigjet pa hezitim hakmarrjes.
Sulmi me dron që ka lënë të vdekur Soleimanin, i ka marrë jetën edhe Abu Mahdi al-Muhandis, një figurë e lartë e ushtrisë irakiane, që ka udhëhequr grupin Kataib Hezbollah, i cili përkrahet nga Irani.
Vrasja e tij ka rritur frikën e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të çrregullojë furnizimet e naftës nga rajoni, duke përbërë gati 50 për qind të prodhimit botëror të naftës.