Një kontratë në vlerë 630 mijë euro ka nënshkruar Telekomi i Kosovës me kompaninë “Hogan Lovells” me seli në Paris, për përfaqësim të kësaj ndërmarrjeje në arbitrazhin ndërkombëtar.
Ky angazhim është bërë pas padisë që ka ngritur kompania “Dardafon” apo e njohur si “Z-Mobile” për, siç ka thënë, “dëmet” e shkaktuara nga Telekomi. Me këtë padi “Z-Mobile”, e cila është pronë e Blerim Devollit, po kërkon dëmshpërblim në vlerë rreth 13.5 milionë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo është hera e dytë që Telekomi i Kosovës paditet nga kjo kompani. Rasti i parë është fituar nga “Z-Mobile” dhe Telekomi është detyruar që të paguajë shumën në vlerë prej 32 milionë eurosh, e cila ende nuk është paguar në tërësi nga Telekomi.
Telekomi më 14 nëntor kishte hapur thirrjen për propozim të ofertave. Ndërsa më 16 dhjetor ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Hogan Lovells”. Sipas dosjes së tenderit, kompania do të angazhohet për përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të Telekomit në procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar ICC.