KAWA Group nuk ka leje ndërtimi në Badovc

KAWA Group nuk ka leje ndërtimi në afërsi të liqenit të Badovcit.

Pas shumë reagimeve të qytetarëve të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e një lagjeje nga Kawa Group, Shpend Ahmeti ka dhënë sqarime.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Prishtinës ka shkruar se kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas tij liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor

Ai ka bërë me dije se në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e teritorrit të Germisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marr statusin e pejsazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. “Një pjesë e pejsazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujrave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit. Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet”, ka bërë me dije Ahmeti. /Gazeta Infokus/