Nëse keni ndonjë problem me bankën, sipas ligjeve në fuqi, vendi ku duhet të ankoheni është Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Por sipas statistikave zyrtare del se kosovarët pak e shfrytëzojnë këtë të drejtë ligjore, përcjellë Buletini Ekonomik.
Në vitin 2018, vetëm 166 ankesa nga 532 janë aprovuar nga BQK. Arsyeja për refuzimin e të tjerave është mungesa e bazës ligjore. Nga kategoritë kryesore të ankesave të pranuara, 312 janë për kredi, 75 për llogari, 45 për kartelë, si dhe 30 për pagesë.
Por për çka ankohen qytetarët ndaj bankave?
Ankesat më të shpeshta për këtë kategori janë ato për kredi, llogari si dhe tarifa bankare.
Prej kategorive për të cilat ka më së shumti ankesa, ankesat më të shpeshta në lidhje me kreditë janë për kategorizimin e kredimarrësve me 120 sosh, për mbylljen e kredisë me 50 sosh si dhe për parapagimin e kredisë me 39 sosh.
“Ndërsa ankesat më të shpeshta në lidhje me llogari janë 23 për bllokim të llogarisë, 11 për mbyllje të llogarisë dhe nga nëntë për keqpërdorim të llogarisë dhe vendosje të tarifave apo provizion. Ankesat për kartelë janë 13 për borxh të pabazë, nëntë për kategorizimin e kredimarrësve në RKK dhe nëntë të tjera për mos mbyllje të obligimeve kreditore. Kurse ankesat më të shpeshta në lidhje me pagesa janë për kategorinë e përgjithshme pagesë, pagesë të gabuar, mos realizim të pagesës, me nga nëntë, tetë e tri ankesa, respektivisht”, thuhet në raportin “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar”, të hartuar nga Instituti “GAP”. /Buletini Ekonomik/