Ministria e Punëve të Jashtë ka bërë të ditur se Kosova është bërë anëtare e Komitetit Ndërkombëtar për Regjistrimin e performancës së Kafshëve (International Committee for Animal Recording – ICAR).
Kjo organizatë joqeveritare ndërkombëtare, stimulon prodhimin e kafshëve në të gjithë globin në mënyrë më të qëndrueshme dhe më efikase, raporton Koha.net.
Kosovën në këtë organizatë do ta përfaqësojë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
“Nga tash, Republika e Kosovës do të ketë bashkëpunim në arritjen dhe zbatimin e rregullave dhe standardeve për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve riprodhuese, bashkëpunim me qëllim të harmonizimit të metodave për standardet e analizave të prodhimtarisë, bashkëpunimi në fushat që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe vlerësimin e performancës së kafshëve, në standardizimin e Regjistrave të kafshëve sipas standardeve të ICAR me qëllim të vlerësimit të vlerës së kafshëve dhe sistemeve të menaxhimit të fermës”, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.
Sipas saj, krahas këtyre përfitimeve, Kosova me këtë anëtarësim do të ketë edhe standardet dhe praktikat e mira për përdorimin e të dhënave të Regjistrimit të performancës me qëllim të vlerësimit të vlerës gjenetike të kafshëve.
ICAR-i përbëhet nga 117 anëtarë nga 59 vende të ndryshme të botës dhe ky komitet me udhëzime dhe shërbime, ndihmon krijimin e sistemeve të prodhimit të kafshëve të bazuara në cilësi në të gjithë botën.