Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë tha se edhe 108 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri, duke çuar në 1,016 numrin e viktimave në këtë vend.
Sipas zyrtarëve, tani janë 42,638 raste të infektuara me koronavirus në gjithë territorin e Kinës, bën të ditur REL.
Në provincën Hubei, që është epiqendër e epidemisë, 103 njerëz kanë vdekur dhe 2,097 raste janë të prekura, tha të martën Komisioni Shëndetësor.
Jashtë Kinës janë raportuar 319 raste me koronavirus në 24 vende.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos lejojë që epidemia të dalë jashtë kontrollit.
Bashkimi Evropian paralajmëroi një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të Shëndetësisë, që do të mbahet të enjten.
Koronavirusi, i cili është shfaqur për herë të parë në fund të vitit të kaluar, në qytetin Vuhan të Kinës, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.
Aktualisht nuk ka vaksinë për të.