Rreth 242 raste të vdekjeve, si pasojë e koronavirusit të ri, janë raportuar vetëm të mërkurën në provicën kineze, Hubei, duke shënuar ditën më të rëndë prej kur ka shpërthyer virusi.
Përveç vdekjeve, është raportuar edhe për gati 14,840 persona të prekur nga ky virus në këtë ditë.
Kina ka shkarkuar nga puna dy zyrtarë të lartë në provincën Hubei, vetëm disa orë pasi janë bërë të ditura të dhënat e reja.
Ky është ndryshimi i parë i madh në strukturën politike të provincës, prej kur është raportuar për virusin e ri.
Më herët gjatë kësaj javë është bërë e ditur se një varg zyrtarësh shëndetësorë “janë larguar” nga vendet e punës.
Deri të mërkurën, numri i personave të prekur me këtë virus në Hubei, ku ka shpërthyer fillimisht virusi, ishte duke u stabilizuar.
Mirëpo rastet e reja në këtë provincë kanë dërguar në 1,350 numrin e të vdekurve dhe pothuajse në 60,000 numrin e atyre që janë infektuar.
Cila është metoda e re e diagnostikimit?
Provinca Hubei, në të cilën gjenden gati 80 për qind e të prekurve me virus, tani po përfshin në listën e rasteve të konfirmuara dhe “personat e diagnostikuar klinikisht”.
Kjo nënkupton se aty gjenden personat që kanë simptoma të virusit, dhe ata të cilët kur kanë kryer skanime kanë rezultuar se kanë mushkëri të infektuara.
Në mesin e 242 vdekjeve të reja në Vuhan, 135 raste janë të “diagnostikura klinikisht”.
Cilat janë më të rejat nga anija e lundrimit?
Ndërkohë një anije lundimi me 2,000 persona është ankoruar në Kamboxhia, pasi ishte refuzuar nga pesë porte, për shkak të frikës së pasagjerët mund të jenë të infektuar me virusin e ri.
Anija, MS Westerdam ka arritur në mëngjesin e së enjtes në këtë shtet pasi Japonia, Tajvani, Guami, Filipinet dhe Tajlanda kanë refuzuar pranimin e saj, pavarësisht se nuk kishte pacientë të sëmurë në bord.
Ndërkohë në anijen tjetër, Diamond Princess, që është izoluar në Japoni, është raportuar për 44 raste të prekura me koronavirusin e ri.
Kjo rritje e numrit nënkupton se 2,018 persona nga 3,700 sa kanë qenë në bord, kanë fituar virusin.
Ata që janë sëmurë janë dërguar në spitale, derisa të tjerët mbeten të izoluar për ditë të tëra në anije.
Çfarë thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë?
Kjo Organizatë ka thënë se “është shumë herët” për të parashikuar fundin e epidemisë.
“Ky shpërthim mund të shkojë në çfarëdo drejtimi”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
OBSH-ja ka qenë në gjendje të gjurmojë burimin e transmetimit të virusit në tetë nga 441 rastet që jajën raportuar jashtë Kinës, ka thënë Drejtori I Departamentit për emergjenca, Michael Ryan.
“Mendoj se është shumë herët për të parashikua fillimin, mesin apo fundin e kësaj epidemie tani për tani”
Të martën, epidemiologu kinez, Zhong Nanshan ka thënë se epidemia duhet të arrijë kulmin këtë muaj në Kinë, para se të nisë të zbehet.
Aktualisht janë ndarë fonde për katër vaksina të mundshme, ka thënë shkencëtarja e OBSH-së, Soumya Sëaminathan.
“Mendoj se do ta gjejmë vaksinën. Do të marrë pak kohë. Një vaksinë nuk krijohet brenda natës”, ka thënë ajo para gazetarëve.
Koronavirusi i ri përcillet me kollë dhe temperaturë, dhe me raste edhe pneumoni të rëndë.