Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e Qeverisë, tha se nga KQZ ka ardhur një kërkesë më 14 shkurt, dhe tha se e kanë pasur të pamundur që për një ditë ta trajtojnë atë kërkesë në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
“Kërkesa e përgjithshme e KQZ-së, bashkë me kërkesën e PZAP-it, mbërrin në shifrën prej rreth 510 mijë euro”, ka thënë Bislimi.
Ai tha se ministria që ai drejton është shokuar me nivelin e profesionalizmit të KZQ-së në përpilimin e kërkesës dhe kalkulimin e shpenzimeve.
“Një element po e cek: zgjedhjet janë për një komunë, janë vetëm për kryetar, me vetëm një fletëvotim, dhe kërkesa është për paga dhe mëditje shtesë për anëtarë të KQZ-së bashkë me PZAP-in për 116 mijë euro. Kërkesa është për 60% mëditje shtesë. Jo vetëm që është kërkesë e paligjshme, por është edhe e pakuptueshme për nivelin e angazhimit që ka. E kam të qartë që KQZ-ja është institucion autonom, por kjo autonomi duhet të përdoret për forcimin e institucionit e jo për zhvatjen e buxhetit të shtetit. Zgjedhjet në Podujevë po mbahen për të zgjedhur kryetarin e Komunës, e jo për t’i pasuruar anëtarët e KQZ-së. Është skandaloze kërkesa me iu nda 60% mëditje për faktin se kanë me votu 1 ditë dhe një ditë tjetër ka qenë balotazhi. Ndërkaq këto mëditje shtesë kërkohen për tre muaj. Qeveria duhet të dërgojë mesazh të qartë se pas 6 tetorit, paraja publike duhet të shpenzohet me nikoqirllëk, e jo si plaçkë publike. Rekomandimi ynë si ministri është që së pari të refuzohet si e pabazuar kërkesa e PZAP-it për rreth 18 mijë euro financim shtesë për paga dhe mëditje, ndërkaq për KQZ-në të miratohet kërkesa vetëm për mallra dhe shërbime për shumën e kërkuar. Por, asnjë pagesë shtesë për mëditje.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, tha se e mbështet Bislimin për kujdesin që tregon ndaj financave publike.
Por, ai tha se nuk duhet të japim kualifikime që mund të jenë bindje personale, por që mund të jenë edhe të pabazuara.
“Ju duhet të siguroheni që shpenzimi i çdo euroje të buxhetit të bëhet në përputhje me rregulloren. Duke qenë se KQZ-ja është institucion i pavarur nga Qeveria, ne duhet të ofrojmë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme që ta kryejnë punën si duhet. Por, ju gjithashtu keni obligim që të kujdeseni që çdo cent i ndatë për KQZ-në të shpenzohet vetëm në përputhje me rregullativën ligjore. Jam që ta mbështesim kërkesën e KQZ-së siç ka ardhur, të ju autorizojmë juve që të kujdeseni se si po shpenzohen ato mjete”, tha Hoti.
Ndërkaq, ministri Bislimi tha se sa të jetë ai ministër i Financave, nuk do të lejojë që të ndahen mëditje për 60% në emër të pavarësisë së institucionit.
“Ne marrim tatime prej qytetarëve me 300 euron pagë, si t’i arsyetohemi atij që duhet të ndahen tatimet e tij për mëditje në emër të pavarësisë së institucionit”, tha ai.
Kryeministri Kurti e hodhi në votim propozimin e Bislimit që të alokohen mjetet e KQZ-së vetëm për mallra dhe shërbime, dhe jo edhe për mëditje.
Pesë anëtarë të Qeverisë kanë abstenuar në marrjen e këtij vendimi, që të gjithë ministra të LDK-së, përfshirë edhe Zëvendëskryeministrin Hoti.
E Qeveria e Kosovës në këtë mbledhje mori vendim për propozimin e ministrit të Financave, Besnik Bislimi që të alokohen mjetet e Komisionit Qendror Zgjedhor vetëm për mallra dhe shërbime e jo për mëditje.
Propozimi i Bislimit është votuar dhe aprovuar.
Ai tha se është detyrë e KQZ-së që të mundësoi që këto obligime të kryhen në kuadër të orarit të tyre.
“Zgjedhjet janë për një komunë dhe vetëm për kryetar. Kërkesa e KQZ-së për buxhet është skandaloze dhe tepër e madhe. Duke kërkuar 60% shtesë për mëditje. Nuk do të tolerojë që një institucion me shfrytëzu paranë publike. Ne marrim tatime prej një niveli që ka paga 300 euro. Propozimi im është që të evokohen mjete te parapara për mallra dhe shërbime por të mos aprovohet për meditje shtesë”, tha ministri Bislimi.