Ish-ministri i Financave, Bedri Hamza thotë se vendimet e fundit të qeverisë Kurti për shkarkimet e bordit të Telekomit, dhe bartjen e disa prej sekretarëve të përgjithshëm të ministrive në listën tepricë për shërbyesit civil po bëhen në emër të ç’kapjes shtetit, për t’i kapur institucionet.
Deputeti i PDK-së, për KosovaPress, foli edhe për largimin e taksës ndaj Serbisë, ku u shpreh se ende nuk po dihet pozicioni i qeverisë Kurti për këtë çështje.
“Janë larguar disa, për t’i sjellë disa tjerë. Tash këta që janë vendosur të paktën si ushtrues detyre, merrni shikoni cv-të e tyre. Merrni shikoni prapavijën e tyre dhe shiko po ndodh kapja e shtetit në emër të ç’kapjes së shtetit. Nëse kjo ndodh atëherë nuk është ajo që i duhet këtij vendi dhe çka i duhen institucioneve”, thotë Hamza.
Mbi pretendimet e largimit të taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, Hamza thotë se PDK do të veprojë në interes të vendit, por pa treguar nëse do të përkrahë Qeverinë në këtë tematik.
“PDK është për debat, është që çdo temë me interes të vendit të debatohet. Pastaj qëndrimet do të jenë si rezultat i diskutimeve dhe analizave se cilat janë më të mira për vendin. Në këtë moment ne nuk e dina se cili është pozicioni i qeverisë. Nuk kemi të shkruar, nuk kemi propozim për largimin e taksës. Është folur për reciprocitet, çfarë lloj reciprociteti. Ka dilma për këtë proces. Mbi bazën e asaj që do të zhvillohet PDK do të veproj mbi interesin e vendit”, u shpreh Hamza.
Por thelbësore për deputetin Hamza është ruajta e partneritetin me ShBA-në dhe BE-në.
“Interesi i vendit është me u ruajt partneriteti me ShBA-të, BE-në dhe partnerët tjerë. Në këtë kontekst ne duhet t’i gjejmë ekuilibrat se cili është interesi i vendit. Mos me shikuar çka fitojmë prej diçka, e çka humbit prej diçka por pikturën e përgjithshme. Mbi bazën e analizave shumë të sakta, korrekte politike dhe shtetërorë me vepru”, thotë ai.
Javën e kaluar Qeveria Kurti morri një mori vendimesh, duke shkarkuar bordin e Telekomit dhe vendosjen në listën tepricë të disa prej sekretarëve të përgjithshëm të ministrive që janë prekur nga riorganizimi i ministrive. Derisa qysh prej marrës së detyrës, kryeministri Kurti ka theksuar s e do të largojë taksën dhe vendos reciprocitetin ndaj Serbisë.