Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Shenaj Shalën, Këshilltare të Jashtme Politike, e angazhuar pro bono, dhe është përgjegjëse e Protokollit në Kabinetin e Kryeministrit.
Shenaj Shala, sipas njoftimit nga kryeministria, është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur.
“Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD). Mes viteve 1999-2013, Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Nga viti 2013-2015 z. Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme. Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 Shala mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain). Shenaj Shala vazhdon të mentorojë dhe këshillojë ndërmarrësit e rinj në Kosovë duke u fokusuar në aftësitë e buta dhe temat si komunikimi efektiv, të folurit në publik, inteligjenca emocionale dhe fjalimet motivuese; si dhe është trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal”, përfundon njoftimi.