Gjermania nga sot hap dyert për punëtorët e kualifikuar

Nga 1 marsi në Gjermani ka hyrë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë.

Reklama e sponzorizuar

Përveç kësaj, të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të shkojnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Ambasada gjermane në Prishtinë me anë të një njoftimi tregon disa nga detajet e këtij Ligji dhe procedurën e aplikimit për vizë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy-tre-vjeçare të arsimit profesional”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100 mijë vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60 mijë të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara.