Moszbatimi i një urdhri gjyqësor nga Ministria e Bujqësisë ka bërë që Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) t’i ketë tre kryeshefa.
Në institucionin që menaxhon me rreth 50 milionë euro përgjatë një viti, të drejtën për ta ushtruar këtë funksion Gjykata e Apelit ia njeh Elhami Hajdarit, të cilin ish-ministri Nenad Rikalo e kishte shkarkuar; “me letra” kryeshef është Ekrem Gjokaj, por i pezulluar pas një aktakuze kundër tij; ndërsa me vendim të ministrit Besian Mustafa aktualisht ushtrues detyre është Agim Nuha.
Më 25 shkurt, Gjykata Themelore ka nxjerrë një urdhër, i cili i kërkon Ministrisë së Bujqësisë që konform një aktvendimi të Apelit, ta kthejë në pozitën e kryeshefit Hajdarin. Hajdari ishte shkarkuar jashtëligjshëm nga ish-ministri Nenad Rikalo, i cili rreth dy vjet më parë, në vend të tij e kishte emëruar Gjokajn, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas largimit të Hajdarit, Rikalo në bashkëpunim me Gjokajn, por edhe me sekretarin e përhershëm Kapllan Halimi, kishin ndarë jashtëligjshëm grante bujqësore, për biznese të lidhura me politikën. Kundër këtyre treve, por edhe kundër pesë zyrtarëve të Ministrisë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, nën dyshimin se kanë abuzuar me detyrën kur kanë ndarë jashtëligjshëm grante, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për së paku 3 milionë euro.
Hajdari nuk ka mundur të kthehet në punë, edhe pse vendimet gjyqësore kanë marrë formë të prerë.
“Urdhërohet debitori i përmbarimit ‘Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural’ … që pas pranimit të këtij urdhri për përmbarim, të njëjtin ta zbatojë menjëherë, ta përmbarojë aktvendimin e formës së prerë, ashtu që ta shfuqizojë Vendimin me numër KM/132/18 të dt. 10.05.2018, i nxjerrë nga Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kreditorin e përmbarimit ta kthejë në vendin e punës në pozitën Kryeshef në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë me të gjitha të drejtat dhe obligimet e caktuara me vendimin nr. 06/81 të dt. 23.03.2016, duke e bërë kompensimin e shumës së ndaluar të pagës në lartësinë prej 50 për qind nga dt. 08.05.2018 deri në zbatimin e këtij vendimi, si dhe t’ia paguani shumën 156.00 euro në emër të përpilimit të propozimit për përmbarim në llogarinë e kreditorit të përmbarimit”, thuhet në urdhrin që Themelorja e ka lëshuar javën e shkuar, e një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta…