Më datën 18 shkurt të këtij viti, vendet anëtare të BE-së morën vendimin për ndalimin e importit të frutave që përmbajnë klorpirifos, një pesticid ky që po konsiderohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Që nga gushti i vitit të kaluar, Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit kishte identifikuar disa shqetësime në lidhje me efektet e mundshme gjenotoksike, pikërisht nga sasia e lartë e këtij pesticidi, si dhe efektet neurologjike gjatë zhvillimit, të mbështetura nga të dhëna që tregojnë dhe efektet te fëmijët.
Ndërkohë, në Kosovë ka pasur të regjistruara produkte të mbrojtjes së bimëve (PMB) me substancë aktive klorpirifos, saktësisht deri me 31 tetor të vitit 2019, pasi në atë kohë ende kanë qenë të lejuara për përdorim këto substanca në BE, e gjithashtu edhe në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Drejtorit të Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi, që nga viti 2012 e deri në vitin 2019 në Kosovë kanë qarkulluar gjithsej 6 lloje produktesh për mbrojten e bimëve më substancën aktive klorpirifos.
“Bazuar në Regjistrin e Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve të regjistruara në MBPZhR, këto PMB kanë qenë të regjistruara:
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Direx 7.5 GR, me substancë aktive chlorpyriphos –i regjistruar me 31.12.2012 deri 31.12.2016.
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Nurelle D, me substancë aktive chlorpyriphos, i regjistruar me 31.12.2012 deri 31.12.2016.
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Pyrimex 7.5 GR, me substance aktive chlorpyriphos, i regjistruar me 16.07.2014-31.12.2018.
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Pyrinex 48 EC, me substance aktive chlorpyriphos, i regjistruar me 16.07.2014 deri 31.12.2017, dhe i riregjistruar me 24.04.2018 deri 31.01.2019.
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Terraguard Plus EC, me substancë aktive chlorpyriphos, i regjistruar me 22.06.2015 deri 31.01.2018, dhe pastaj i riregjistruar me 10.12.2018 deri 31.10.2019.
-Produkti për mbrojtjen e bimëve: Helios 480 EC, me substance aktive chlorpyriphos, i regjistruar me 24.04.2018 deri 31.01.2019”, thuhet në përgjigjet e Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në kuadër të MBPZHR-së, drejtuar Buletinit Ekonomik.
Por, prej tani, çdo frut i importuar që mbart më shumë se sasinë më të vogël të pesticideve, do të ndalohet të shitet në të gjithë BE-në, duke përfshirë edhe Kosovën, pasi edhe Ministria e Bujqësisë ka ndaluar përdorimin e tyre.
Tutje, Ministria e Bujqësisë ka treguar gjithashtu se gjatë vitit 2019, edhe dy subjekte në Kosovë kanë aplikuar për regjistrim të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB), për produktet Helios dhe Pyrifos, por që komisioni për vlerësim dhe autorizim i këtij departamenti, ka marrë vendim për ndalimin e regjistrimit të tyre, pas vendimit të BE-së. Pra, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka të regjistruar asnjë produkt për Mbrojtjen e Bimëve substancën aktive klorpirifos. /Buletini Ekonomik/









