Raftet e zbrazura nëpër markete në vend nuk janë pasojë e mungesës se produkteve bazike.
Përfaqësuesit e bizneseve iu kanë bërë thirrje marketeve që t’i mbushin ato, ngase thonë se ka mjaftueshëm produkte, raporton KOHA.
Fluksi i madh i qytetarëve për të blerë miell, vaj e sheqer, ka ardhur pas panikut nga mundësia e shfaqjes së koronavirusit edhe në Kosovë.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pas takimit me bizneset tha se furnizimi me mallra është stabil, duke kërkuar nga bizneset që të mos i ngrenë çmimet pa arsye, në të kundërtën do të gjobiten.
“Në komunikim me kompani nuk ka ndonjë problem të theksuar për ndonjë produkt të caktuar. Ende vazhdon marrja e lëndës së parë, ardhja e grurit. Ende vazhdon ardhja e produkteve të ndryshme. Ka më shumë vonesa në kontrollet doganore, mirëpo kjo nuk po shfaq ndonjë problem me furnizim”, ka thënë Rukiqi.
Edhe në Aleancën Kosovare të Bizneseve iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos shpenzojnë në blerjen e mallrave, pasi që nuk do të ketë mungesa.
“U bëj ftesë të gjitha bizneseve të mos bëjnë panik dhe t’i furnizojnë qytetarët ashtu siç i kanë furnizuar më herët. Bizneset janë deklaruar se ekzistojnë rezerva të mjaftueshme. Sigurojmë konsumatorët se bizneset do t’i furnizojnë rregullisht”, është shprehur Shahini.
Sylejman Konushefci, përfaqësues i “Inter Company”, ka thënë: “Ky panik ka marrë një jehonë të madhe. Kemi lëndë të parë dhe sasi të mallit. Është panik i pavend. Jam i sigurt që nuk do të ketë mungesë në treg. Të mos nguten për të harxhuar para, pasi mall do të ketë”.
Megjithatë, ekonomisti Mustafë Kadrijaj është shprehur skeptik nëse ka mjaftueshëm rezerva shtetërore në rast të përballjes me koronavirus.
Ndërkohë, dyshimet për rritjen e çmimeve bazike nga ana e bizneseve janë vënë nën llupën e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka bërë të ditur se në terren janë 15 inspektorë, që po grumbullojnë të dhëna, për të dalë më vonë me të dhëna nëse janë gjetur shkelje të Ligjit të konkurrencës.