Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është bërë ndërprerja e menjëhershme e Transportit Publik në tërë Kosovën.
Ahmeti, që thotë se e ka marrë vendimin nga Ministria e Punëve të Brendshme, thotë se nuk është konsultuar paraprakisht askush me të, dhe se sipas tij, koordinimi me institucione është i domosdoshëm.
“Sapo pranova vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e Transportit Publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë. Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, shkruan Ahmeti.
Ahmeti thotë se “Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani”.
“Ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por ndërprerja e menjëhershme pa kurrfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të bëhet. Koordinimi me krejt institucionet është i domosdoshëm. Jemi të gjithë ushtarë në një betejë. P.S. besoj qe Qeveria do të shtojë edhe disa miliona subvencione për kompanitë e transportit publik në krejt Kosovën”, përfundon Ahmeti.
Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme sot gjatë ditës nuk është lëshuar asnjë vendim.