Sindikata e punëtorëve të KEDS-it ka pranuar një numër ankesash nga punëtorët e kësaj ndërmarrjeje për masat mbrojtëse në kohën kur vendi është duke u përballur me përhapjen e koronavirusit.
Sipas Sindikatës, punëtorët nuk janë pajisur me dorëza mbrojtëse adekuate e as me maska dhe dezinfektues, dhe ata po detyrohen që t’i blejnë vetë, raporton KOHA.
Rashit Gashi, nga Sindikata e punëtorëve të KEDS-it, thotë se shqetësuese është edhe detyrimi që punëtorët të shfrytëzojnë pushimin vjetor dhe të mos lirohen ata që kanë probleme shëndetësore.
Edhe një punëtor në kushte anonimiteti i ka thënë televizionit se ai është detyruar të shfrytëzojë pushimin vjetor dhe se vetëm në ditët e para të pandemisë janë pajisur punëtorët me pajisje mbrojtëse.
Por zyrtarë të KEDS-it përmes një përgjigjeje me shkrim kanë treguar një varg masash që kanë ndërmarrë duke mohuar ankesat e punëtorëve.
& KESCO janë mobilizuar në mënyrë të jashtëzakonshme duke marrë masat në vijim: Pajisjen e të gjithë punëtorëve me dorëza, maska, rroba mbrojtëse nga viruset e ndryshme, alkool higjienik, material dezinfektues etj. Në përputhje me vendimin e Qeverisë, krijimi i mundësisë për të gjithë punëtorët që kanë fëmijë, që punëtori/ja ose bashkëshortja/ bashkëshorti që punon në institucion tjetër të lirohet nga puna që të jenë në shtëpi me fëmijët; Lirimi nga puna i punëtorëve me probleme shëndetësore; Lirimi nga puna i punëtorëve me moshë mbi 60 vjet, nga administrata; Lirimi nga puna i punonjëseve shtatzëna; Ofrimi i mundësisë së angazhimit me punë nga shtëpia”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.
Gjithashtu në përgjigjen e KEDS-it theksohet se gjatë periudhës së pandemisë punëtorët janë identifikuar në dy grupe, në ata që për shkaqe shëndetësore kanë shfrytëzuar pushim mjekësor dhe punonjësit që shfrytëzojnë pushim me pagesë.