Agjencia e Statistikave: Papunësia në Kosovë gjatë vitit të kaluar ishte 25.7 për qind

Shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind, ku papunësia më e lartë ishte te femrat.

Kështu thuhet në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP), viti 2019”, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Sipas rezultateve të AFP-së, shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind. Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 34.4 për qind, krahasuar me meshkujt me 22.6 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare me 49.4 për qind. fuqia joaktive në vitin 2019 ishte mjaft e lartë me 59.5 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 78.9 për qind krahasuar me meshkujt me 40.3 për qind”, thekson raporti.

Reklama e sponzorizuar

ASK thotë se shkalla e punësimit për këtë vit ishte 30.1 për qind.

“Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2019 është 30.1 për qind. Punësimi më i lartë është te meshkujt 46.2 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 13.9 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53 për qind të tyre. Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 46.3 për qind”, njofton ASK.

Raporti tregon se tregtia vazhdon të jetë sektori me numrin më të madh të të punësuarve.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17 për qind, ndërtimtaria me 12.6 për qind, prodhimi me 11.9 për qind si dhe arsimi me 10 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, tregon raporti.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, ASK thotë se 45.3 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.

Anketa ka pasur shtrirje në 998 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 8,815 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.